Studiuesit në Florida thonë se ata besojnë se kanë gjetur argumente që coronavirusi i ri ka pësuar mutacion në një mënyrë që e bën atë më lehtë të infektojë qelizat njerëzore.
Sipas CNN, ata thonë se kërkohen më shumë hulumtime për të treguar nëse ndryshimi ka ndryshuar rrjedhën e pandemisë, por të paktën një studiues që nuk është i përfshirë në studim thotë se ka të ngjarë të ketë bërë një gjë të tillë.
Dhe siç thuhet më tej, ndryshimet mund të shpjegojnë pse virusi ka shkaktuar kaq shumë infeksione në Shtetet e Bashkuara dhe në Amerikën Latine.
Po sipas CNN, bëhet fjalë për një mutacion për të cilin shkencëtarët shqetësohen me javë të tëra.
Bëhet fjalë për studiuesit në Institutin e Kërkimeve Scripps në Florida të cilët thanë që mutacioni ndikon në “S proteinë” – një strukturë në pjesën e jashtme të virusit që ai përdor për të hyrë në qeliza.
Nëse gjetjet konfirmohen, do të ishte hera e parë që dikush ka demonstruar se ndryshimet që shihen në virus kanë rëndësi për pandeminë.
“Viruset me këtë mutacion ishin shumë më infektivë sesa ata pa mutacion në sistemin e kulturës së qelizave që ne përdorëm”, tha virologu i Scriptps, Hyeryun Choe, që ndihmoi në studim.
Siç shkruan CNN, vetëm këtë javë, Organizata Botërore e Shëndetit tha që mutacionet e shikuara deri më tani në coronavirusin e ri nuk do të ndikojnë në efikasitetin e vaksinave në zhvillim.
Javën e kaluar, OBSH tha që mutacionet nuk e kishin bërë atë më lehtë të transmetueshme, dhe as nuk e kishin bërë virusin më të predispozuar të shkaktonte sëmundje serioze.
Por, Choe dhe kolegët e saj zhvilluan një seri eksperimentesh në enët laboratorike që tregojnë se një mutacion i quajtur D614G i jep virusit shumë më shumë “thumba”, dhe i bën ato më të qëndrueshme. Nga ana tjetër, e bëjnë më të lehtë hyrjen në qeliza.
Studiuesit do të postojnë gjetjet e tyre në një server të paraprintuar të quajtur BioRxiv. Kjo do të thotë se puna nuk është rishikuar nga ekspertë të tjerë të fushës.
Por Choe dhe kolegët e sak i dërguan letrat e tyre William Haseltine, një virolog, sipërmarrës bioteknologjik dhe kryetar i Access Health International.
Ndërkohë Haseltine beson se gjetjet shpjegojnë përhapjen e lehtë të coronavirusit nëpër Amerikë.
“Është domethënëse sepse tregon se virusi mund të ndryshojë, ndryshon në avantazhin e tij dhe ndoshta në disavantazhin tonë”, i tha Haseltine CNN. Ai ka bërë një punë të mirë deri më tani për t’iu përshtatur kulturës njerëzore”, shtoi ai.
Shkencëtarët kanë qenë duke shpërndarë lirshëm sekuencat e virusit, të cilët, si të gjithë viruset, ndryshojnë vazhdimisht.
“Diku në mes të janarit, pati një ndryshim që lejoi që virusi të bëhej më infektiv. Nuk do të thotë se është më vdekjeprurës”, tha Haseltine. “Kjo e bën atë rreth 10 herë më infektiv”.
Gjithsesi, studiues të tjerë kanë dyshuar për këtë.
Në prill, Bette Korber nga Laboratori Kombëtar Los Alamos dhe kolegët publikuan shqetësimet e tyre, gjithashtu në BioRxiv, duke e quajtur mutacionin D614G “shqetësim urgjent”, sepse ai ishte bërë “varieteti” më i zakonshëm që përhapet në Evropë dhe SHBA.
“Ai filloi të përhapet në Evropë në fillim të shkurtit, dhe kur u prezantua në rajone të reja u bë me shpejtësi forma mbizotëruese”, shkruan ata.
Por duhej më shumë punë për të treguar se thjesht nuk ishte një aksident që bëri që viruset me mutacionin D614G të bëhen format më të zakonshme.
Haseltine tha që skuadra e Scripps e tregoi këtë në tre eksperimente të ndara.
Mutacioni lejon që virusi jo vetëm që të bashkohet me qelizat më lehtë, por të futet në to më lehtë.
Kur viruset infektojnë, ata rrëmbejnë qelizat e viktimës së tyre dhe i kthejnë ato në fabrika virale, duke nxjerrë kopje nga kopja e viruseve.
Ata së pari duhet të gjejnë një mënyrë në qelizat për ta bërë këtë.
Korber, i cili ka një analizë të ndryshme në shqyrtim për botim, tha se “ishte mirë të shiheshin rezultatet”, por nuk komentoi më tej për CNN.
E Haseltine tha se implikimet janë të rëndësishme.
Ndërkohë studiues të tjerë kishin shpresuar që coronavirusi nuk do të provojë të jetë aq i prirur ndaj mutacionit, si viruset e tjerë që përdorin ARN në vend të ADN-së, si materialin e tyre gjenetik.
“Kjo do të thotë që ne duhet të jemi në gatishmëri për ndryshime të vazhdueshme”, tha Haseltine.
“Ky virus do t’i përgjigjet çdo gjëje që bëjmë për ta kontrolluar atë. Ne bëjmë një ilaç, ai do të rezistojë ndaj tij. Ne bëjmë një vaksinë, ai do të përpiqet të përballojë atë. Ne qëndrojmë në shtëpi, ai përpiqet të kuptojë se si të rri rreth e rrotull më gjatë”, ka thënë ai.