Kampione sërish, Luiza Gega triumfon në garën e krosit në Bullgari

0
Gjigandi

Është mësuar të fitojë çdo lloj medaljeje.

Një kampione si Luiza Gega nuk mund të kënaqet dhe është pikërisht kjo ambicie që e ka ngjitur kaq lart, ndërsa tashmë mori një titull që i mungonte.

Pasi u shpall kampione e Evropës për femra dhe si skuadër me Shqipërinë, pasi doli dy herë kampione e Mesdheut dhe pasi fitoi numër rekord medaljesh të arta në pistat ballkanike dhe kontinentale, ajo triumfoi në garën e krosit në Ballkan.

Konkurrimi u mbajt në qytetin Pirdon në Bullgari, dhe “veterania kuqezi” triumfoi me epërsi të madhe.

Ajo zuri vendin e parë me kohën 27’16, pasi përshkoi 8 000 metra itinerar kodrinor.

Aq i madh ishte dominimi i Gegës saqë atletja bullgare, Debora Avramova që zuri vendin e dytë, mbeti 29 sekonda prapa.

E treta doli përfaqësuesja e Turqisë, Bahar Atalai me kohën 27’56”.

Kampionia shqiptare ka provuar kohët e fundit gara në rrugë, siç janë 5 000 metra apo edhe ato të gjysmë maratonës, ndërsa tashmë triumfoi edhe në Krosin Ballkanik.

Gjithsesi, objektivi i saj kryesor është të luftojë për medalje në Lojrat Olimpike në Paris vitin e ardhshëm.

 

p.k\dita

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu