Një lloj djathi i prodhuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është zgjedhur si djathi më i mirë në botë. Kjo është hera e parë që çmimi për djathin më të mirë, të cilin e fitoi djathi “Rogue River Blue”, shkon në Shtetet e Bashkuara.
Ky djathë prodhohet në fabrikën “Rogue Creamery” në Oregon të Shteteve të Bashkuara. Në garë ishin 3804 lloje djathërash nga 42 shtete të ndryshme. Ceremonia e ndarjes së çmimit u mbajt në Bergamo të Italisë.
Vendimin për fituesin e morën 260 anëtarë jurie, të cilët vinin nga 35 shtete të ndryshme të botës. Ata fillimisht e hartuan një listë me 16 djathërat më të mirë, ndërsa në fund e zgjodhën në vend të parë djathin amerikan.
Në vendin e dytë u zgjodh djathi italian, Santo Stefano, ndërsa në vendin e tretë ishte djathi spanjoll, i quajtur Torta del Casar.
Janet Fletcher, e cila ishte e përfshirë në këtë organizim, nuk ishte e befasuar nga fitorja e djathit amerikan. “Askush që e njeh këtë djathë nuk do të befasohej nga shfaqja e tij e fuqishme. Ky djathë ka fituar edhe në gara brenda Shteteve të Bashkuara”, tha ajo.
Në mesin e djathërave më të mira kishte edhe djathëra nga Franca, Britania e Madhe, Holanda, Zvicra dhe Japonia, shkruan “CNN”