Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, thotë se shtimi i rasteve me koronavirus është faji i të gjithëve.
“Dihet që ky virus është tejet ngjitës dhe të vetmet masa mbrojtëse kemi distancimin fizik, higjienën personale dhe vendosjen e maskave. Përgjegjësia është personale dhe kolektive”, tha zonja Bino sot në A2.
Gjatë gjithë kësaj kohe, – shtoi ajo, – kemi dëgjuar edhe që virusi është sajesë apo është sëmundje e lehtë. Protokollet e sigurisë për bizneset dhe restorantet janë për të minimizuar përhapjen e virusit dhe në momentin që nuk zbatohen, infeksioni përhapet më lehtë. Unë e kam vënë re që protokolli nuk zbatohet. Ai protokoll nuk është kot, duhet zbatuar”, tha Bino.
Kur u pyet nëse ka një shifër tavan sa i përket rasteve të reja me koronavirus, tejkalimi i së cilës do të rikthente karantinën, Bino theksoi se nuk ka limit shifrash të personave të infektuar, por të të shtruarve dhe atyre që kanë nevojë për terapi intensive dhe intubim, por edhe të vdekjeve.
“Nuk ka një shifër tavan. E rëndësishme është që të mos ketë mbingarkesë në spitale dhe fatalitete. Gjithçka e ka fillesën te moszbatimi i distancimit fizik”.
ISHP thotë se do të detyrohet të propozojë në Komitetin Teknik të Ekspertëve, rikthim masash kufizuese, nëse në spitalin Covid 1 shkon në 80 numri i të shtruarve. Nëse ka më shumë se 10 të intubuar, kjo është një tjetër kambanë kufizimesh. Megjithatë ardhja e disa dhjetëra respiratorëve të rinj mund të ndikojë në tolerancë më të gjerë të shifrave të mësipërme. ISHP dhe ministria e Shëndetësisë kanë gati planin që të riaktivizojnë Sanatoriumin si Covid 2 e po ashtu urgjencën kirurgjikale si Covid 3 në rast nevoje. Po ashtu, ish universiteti Kristal do të shërbejë si spital Covid.
Në lidhje me zërat kundër vaksinës, Bino tha: “Po bëhen shumë përpjekje për prodhimin e vaksinës, janë angazhuar shkencëtarë në të gjitha kontinentet. Tre janë vaksinat kandidate më të mira. Por, nuk mund të përdoren te njeriu pa kaluar 4 etapa, ku më e rëndësishmja është pjesa e sigurisë. Një vaksinë nuk mund të futet në vendin tonë nëse nuk aprovohet nga Agjencia Europiane e Barnave.
Nuk ka asnjë detyrim në bërjen e vaksinës. Nuk e kuptoj gjithë këtë luftë kundër vaksinës, kur ajo është shumë larg akoma. Vaksinat kanë luajtur rol kyç në mirëqënien e njerëzimit ndër vite. Ne i kemi harruar shpërfytyrimet e njerëzve nga sëmundje si poliomeliti dhe i kemi harruar falë vaksinave. Kjo është arsyeja që kemi një procedurë indirekte për vaksinat e kalendarit që nuk pranojmë fëmijët në shkollë”.