Ekspertët kanë paralajmëruar se një tjetër sëmundje vdekjeprurëse, mund të përhapet pas koronavirusit. Ndërsa shumë vende kanë lehtësuar disa kufizime të ndërmarra, shumë njerëz do të kthehen në ndërtesat e braktisura që kanë qenë të mbyllura prej muajsh, të cilat mund të bëhen shkak për infeksione dhe sëmundje si ajo e Legionnaires.
Sipas mjekes Anne Clayson, kjo sëmundje shkaktohet nga thithja e pikave të ujit që përmbajnë bakteret e Legionella, dhe braktisja e shtëpive për një kohë të gjatë, rrit rrezikun e këtyre baktereve, shkruan “The Sun”.
Kjo sëmundje shkakton pneumoni të rëndë dhe ka simptoma të ngjashme me Covid-19 si kolla e thatë, vështirësitë në frymëmarrje apo dhimbjet e muskujve. Në ndryshim nga ky virus, sëmundja Legionnaires nuk transmetohet nga një person tek tjetri, por shkakton përhapje të madhe në komunitet përmes kontaminimit të pikave të ujit nga ajri, që mund të vijnë nga çezmat, dushi, pishinat apo sistemet e ajrit të kondicionuar.
Këto baktere jetojnë në mjedise të ngrohta dhe zhvillohen kryesisht gjatë verës. Të gjitha sistemet ujore janë në rrezik, por veçanërisht objektet që kanë qëndruar për një kohë të gjatë të boshatisura, gjë që mund të jetë më shqetësuese për vendet që kanë aplikuar masa më të rrepta.