Coronavirusi mund të qëndrojë në spermën e burrave edhe pasi ata janë shëruar, thanë së fundmi studiuesit kinezë.
Një ekip studiuesish nga Shangqiu Municipal Hospital testuan 38 pacientë burra të trajtuar në kulmin e pandemisë në Kinë, në janar dhe shkurt. “Në 16% prej tyre u gjet Coronavirus në spermë,” raportoi ekipi për revistën JAMA Network Open, që publikon kërkime shkencore mbi shëndetin.
“Zbuluam se SARS-CoV-2 mund të jetë i pranishëm në spermën e pacientëve me Covid-19, përfshirë këtu edhe rastet kur pacientët janë shëruar,” shkroi Diangeng Li nga spitali Chinese People’s Liberation Army General në Pekin. Ai shpjegoi se një gjë e tillë është rezultat i faktit se sistemi imunitar nuk arrin dot të sulmojë pushtuesin në të gjithë organizmin.
Një zbulim i tillë nuk ndodh për herë të parë. Shumë viruse jetojnë në sistemin riprodhues të mashkullit. Viruse se Ebola apo Zika janë gjetur në spermë, ndonjëherë disa muaj pasi pacienti ishte shëruar.
A do të thotë kjo se virusi mund të jetë seksualisht i transmetueshëm? Jo detyrimisht. Ende nuk është e qartë nëse Coronavirusi mund të transmetohet në rrugë seksuale. Gjetja e provave të tij në spermë nuk do të thotë se është infektiv. Në këtë pikë, lind nevoja e studimeve të mëtejshme për të parë nëse SARS-CoV-2 mund të transmetohet përmes kontakteve seksuale.