Nuk ka prova që të vërtetojnë një valë të dytë të koronavirusit. Kështu ka deklaruar profesori britanik Hugh Pennington, mikrobiolog në Universitetin e Aberdeen.
Sipas tij ideja për rikthimin e një vale të dytë të Covid-19 bazohet në në modele të vjetruara të gripit. Shkencëtarët i janë referuar vazhdimisht pandemisë së gripit spanjoll të vitit 1918.
“Virusi i gripit ka një kulm, më pas zbret dhe më pas ka valë të dyta dhe madje edhe të treta. Gripi nuk është një model i mirë sepse ky virus sillet ndryshe. Unë jam skeptik i valës së dytë.
Nuk ka pasur valë të dytë të ngjashme me COVID-19 në Kinë, Korenë e Jugut ose Zelandën e Re”, tha ai.
Gripi është biologjikisht i ndryshëm nga koronavirusi dhe nuk duhet të jetë i krahasueshëm, shtoi profesori Pennington.
Po ashtu mikrobiologu vuri në dyshim efektivitetin e masave të ashpra të bllokimit. Ai tha për mediat se nëse bllokimi do të kishte qenë aq i shkëlqyeshëm, do të kishim më pak raste.
Këtë deklaratë Pennington e bëri pasi qeveria britanike u detyrua të tërhiqte pretendimet se lehtësimi i masave kufizuese në Angli do të “çojë në mënyrë të pashmangshme” në një rritje të rasteve.
Ndërkohë, shumë ekspertë janë pajtuar në një mendim se infeksioni është i detyruar të rishfaqet në një valë të dytë në mungesë të një vaksine.
Frika më e madhe është se vala e dytë do të ndodhë gjatë dimrit dhe përkon me sezonin e gripit, dhe mund të shkaktohet sërish kaos në spitale.