Nisma për t’i dhënë fund poliomielitit ka qenë afatgjatë. Përpjekjet për realizimin e këtij synimi kanë qenë të vazhdueshme që nga viti 1988, dhe, ndërsa është shënuar një përparim i madh në këtë drejtim, puna nuk ka mbaruar ende. Lajmi i mirë është se sëmundja është tkurrur me 99.9 për qind. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson, poliomeliti vazhdon të jetë i pranishëm në Pakistan dhe Afganistan.
Përpjekja globale për t’i dhënë fund poliomielitit është një program masiv.
Programi mbështetet në fondet globale, vaksinuesit vullnetarë, negociatat me udhëheqësit politikë dhe fetarë në të gjitha nivelet dhe prindërit që kanë besim te vaksina.
Në Kenia, faktet rreth poliomielitit mësohen në shkolla. Fëmijëve u mësohet edhe çfarë t’u tregojnë prindërve të tyre.
Përpjekjet ndërkombëtare po sjellin rezultate. Prania e sëmundjes ka shënuar rënie me një nivel 99.9 për qind. Nigeria pati rastin e saj të fundit të poliomielitit tre vjet më parë. Nigeria, dhe e gjithë Afrika, mund të shpallen zona të lira nga poliomieliti në vitin 2020.
Dikur kishte tre lloje të virusit. Lloji i dytë u zhduk më 2015. Zyrtarët e shëndetësisë tani thonë se edhe lloji i tretë është zhdukur.
“Pra, ky do të jetë lloji i dytë nga tre llojet e virusit që do të zhduken, duke lënë vetëm një lloj të virusit që vazhdon të qarkullojë në botë”, thotë Carol Pandak nga organizata Rotary International që menaxhon programin PolioPlus.
Këtu, në kufirin mes Pakistanit dhe Afganistanit, ku një numër i madh njerëzish kalojnë nga një vend në tjetrin, është zona ku përhapet virusi i poliomielitit të egër.
Mbrojtja e fëmijëve në migrim nga poliomieliti është një punë me orar të plotë. Të dyja vendet patën rritjet të rasteve të kësaj sëmundje nga viti i kaluar.
“Realiteti është që të dyja vendet janë në thelb një bllok epidemiologjik dhe ka kaq shumë lëvizje të popullatës. I njëjti lloj i virusit po transferohet nga njëra anë e kufirit në tjetrën përmes lëvizjeve të popullatës”, thotë Oliver Rosenbauer nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Dhe kjo është sfida kryesore. Njerëzit kanë familje në të dyja anët e kufirit dhe vizitojnë njëri-tjetrin. Një sfidë e dytë janë Talibanët, të cilët tani lejojnë që vaksinat të jepen vetëm në qendrat e imunizimit.
Një sfidë tjetër vjen nga suksesi i programit. Numri i rasteve të poliomielitit ka rënë ndjeshëm.
Dhe programi i zhdukjes së kësaj sëmundjeje tani duhet të trajtojë nevoja të tjera urgjente si uji i pastër. Por, zonja Pandak thotë se programi është përshtatur gjithmonë me ndryshimet.
“UNICEF-i në veçanti ka një strategji për Afganistanin dhe Pakistanin për të siguruar këto shërbime dhe (organizata) Rotary për shumë vite ka punuar me kompaninë Coca-Cola në Pakistan për sigurimin e sistemeve të filtrimit të ujit në disa prej këtyre zonave me rrezikshmëri më të lartë”, thotë Carol Pandak nga organizata Rotary International që menaxhon programin PolioPlus.
Ata që janë përfshirë në Iniciativën Globale të Zhdukjes së Poliomielitit kanë bërë një rrugë më të gjatë dhe më të vështirë sesa pritej në vitin 1988, kur filloi programi. Është shumë larg nga përfundimi, por partnerët në këtë fushatë nuk kanë hequr dorë nga synimi i programit./VOA