Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje ndaj qytetarëve që të evitojnë qëndrimin në kohë të gjata nëpër fusha e livadhe si pasojë e situatës endemike me ethe hemorragjike Krime-Kongo.
Disa komuna në Kosovë, përveç përballjes me pandeminë Covid-19, kanë raportuar për raste të pickimit nga rriqrat. Instituti bën të ditur se është duke përcjellur me kujdes situatën dhe se ka filluar dezinfektimi selektiv në komunën e Malishevës.
Po ashtu IKSHPK ka publikuar disa udhëzime për mbrojtje:
1. Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre,
2. Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende vesh rroba të gjata dhe pantallonat futni në çorapë,
3. Duhet të përdorni preparate me të cila lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën),
4. Kontrolloni trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në vatër,
5. Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre,
6. Nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt,
7. Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe),
8. Pastrimi dhe dezinfektimi i stallave të bëhet në vazhdimësi,
9. Mbajtja e higjienës personale në nivelin më të lartë.