Kosi, sidomos kosi i bërë vetë në shtëpi, është një burim i mirë dhe shumë i shëndetshëm i proteinave.
Për shkak se disa njerëzve nuk u pëlqen shija e kosit të thjeshtë, prodhuesit ofrojnë një shumëllojshmëri shijesh, në mjaft raste krejt artificiale.
Problemi qëndron në faktin që prodhuesit nuk kursehen aspak në sasitë e sheqerit që përdorin në kosin industrial.
Sa të shëndetëshëm janë
Tek disa lloje kosi frutash industrial që tregtohet edhe në Shqipëri, sasia e sheqerit arrin të jetë deri në 36 gram!
Dhe kjo sasi gjendet vetëm në një gotëz të vogël plastike me 125 gram kos frutash. Sa prej nesh nuk i ka mjaftuar e para dhe kanë ngrënë edhe një kos të dytë?
Imagjinoni se çfarë sasie sheqeri keni marrë në organizëm vetëm për pak minuta. Shtoni këtu ngjyruesit e mundshëm artificialë dhe kuptoni se nuk po ndihmoni shëndetin.
Edhe sikur të konsumoni një kos të vetëm frutash, sasia që merrni është e tepruar.
Ajo tejkalon kufirin e përditshëm prej 25 gramësh që Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vendosur si konsum limit të sheqerit për gratë në ditë.
Ndërkohë që vetëm një gotë e vogël arrin të barazojë kufirin prej 36 gramë sheqer të përcaktuar për një organizëm të shëndetshëm tek meshkujt.
Kjo do të thotë, se jeni duke bërë një zgjedhje shumë të ngarkuar me sheqer mëngjes për mëngjes. Në këtë mënyrë ju jeni duke mbingopur me sheqer vaktin tuaj të parë të ditës.
Nëse e filloni ditën tuaj me një standart kaq të lartë sheqeri, do të keni probleme.
Kjo pasi do të detyroni organizmin tuaj të kërkojë edhe më tepër sheqer për pjesën tjetër të ditës.
Por edhe nëse zgjidhni kos frutash me ëmbëlsues artificialë, nuk po bëni një zgjedhje të shëndetshme.
Studimet e konsultuara nga AgroWeb.org tregojnë se sheqernat artificiale mund të nxisin çlirimin e insulinës njëlloj si sheqeri.
Studimet tek njerëzit por edhe vetë zakonet e përditshme tregojnë se nëse përdorni ëmbëlsues artificialë si zëvendësues të sheqerit, ju në thelb e mbani lart nevojën për të ëmbëla.
Kjo vetëm e bën edhe më të vështirë, uljen e konsumit të sheqerit për të mirën e organizmit tuaj.
A mund të shtojmë shije tek kosi natyral?
Mënyra më e mirë për t’i shtuar shije kosit natyral, është duke përdorur fruta të freskëta, ekstrakt vanilje ose pak kanellë.