Dihet që ajri i ndotur shkakton probleme të zemrës dhe mushkërive, që janë faktorët kryesorë për tu prekur nga Covid-19.
Pacientët me Covid-19 kanë dy herë më shumë të mundësi të kenë qenë të prekur nga sëmundjet e frymëmarrjes dhe tre herë më shumë mundësi të kenë pasur probleme kardiovaskulare. Dhe studimet kanë treguar që ndotja e ajrit e dëmton zemrën dhe mushkëritë.
Pra, a është ajri i ndotur, i cili tashmë vret të paktën 7 milion njerëz në vit, ai që e bën më vdekjeprurëse pandeminë e koronavirusit?
Konfirmimi i ndikimit të ndotjes së ajrit në ashpërsimin e Covid-19 mund të sjellë një ndryshim të vërtetë duke i bërë vendet me cilësi të dobët të ajrit të reflektojnë. Por bërja e studimeve shkencore në mes të një pandemie globale dhe me të dhëna të papërsosura, është e vështirë. “Ne nuk kemi prova që lidhen drejtpërdrejt me vdekshmërinë, por ne e dimë se nëse jeni të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit, rriten shanset për t’u prekur më rëndë nga koronavirusi”, tha Dr. María Neira, drejtore e shëndetit publik në Organizatën Botërore të Shëndetit.
“Ne kemi filluar t’u japim mesazhe vendeve dhe rajoneve duke thënë, nëse filloni të keni raste, në ato qytete ku keni një nivel të lartë ndotjeje, forconi nivelin e gatishmërisë , sepse mund të keni një vdekshmëri më të lartë”. Shkaku kryesor i infektimit nga Covid-19 është kontakti me një person të infektuar.
Studimet e bëra deri më tani në mbarë botën janë kryesisht “paraprake” – ato ende nuk janë miratuar nga shkencëtarë të pavarur, përmes procesit të rishikimit nga kolegët. Kjo përfshin disa ekspertë që shqyrtojnë punën dhe kërkojnë të metat që duhen adresuar, por miratimi zakonisht zgjat, gjashtë muaj deri në dy vjet. Një studim amerikan, nga një grup i mirënjohur në Universitetin e Harvardit, zbuloi se ndotja e ajrit është e lidhur me numra shumë më të larta të vdekjeve nga Covid-19 në të gjithë vendin.
Një tjetër studim, duke analizuar të dhënat evropiane, arriti në përfundimin se nivele të larta të ndotjes mund të jenë “një nga kontribuesit më të rëndësishëm”. Nga shkencëtarët në Itali u zbulua Koronavirus në mostrat e ndotjes së ajrit dhe ka filluar hetimi nëse kjo mund të bënte të mundur që virusi të transportohej në distanca më të gjata dhe të shtonte numrin e personave të infektuar.
Studimet kan zbuluar lidhje të forta në Kinë, ku filloi pandemia, përfshirë një studim të 324 qyteteve, i cili mori parasysh faktorë të tjerë si modelet e udhëtimit, moti, mosha, varfëria dhe pirja e duhanit. U zbulua se vendet me nivele më të larta të ndotjes së dioksidit të azotit (10 mikrogramë për metër kub) në pesë vjet para pandemisë, kishin 22% më shumë raste me Covid-19.
Duke pasur parasysh numrin masiv vjetor të vdekjeve nga ndotja e ajrit, studiuesit gjithashtu kanë hetuar nëse rënia e përkohshme e ndotjes së ajrit gjatë mbylljeve mund të ketë shpëtuar jetë. Në Kinë, shkencëtarët thanë se një rënie prej 25% e ndotjes së ajrit të qytetit gjatë bllokimit mund të kishte parandaluar midis 24,000 dhe 36,000 vdekjeve gjatë një muaji. Një tjetër analizë arriti në përfundimin se bllokimet në qytet “sollën përfitime shëndetësore që tejkaluan numrin e vdekjeve të konfirmuara për shkak të Covid-19 në Kinë”.