Në stinën e nxehtë të verës, trupi i njeriut është shumë i brishtë dhe goditet në disa fronte. Këputja fizike nga vapa dhe dehidratimi janë dy probleme që shkaktojnë shumë stërmundim për shumë organe në trupin e njeriut. Në përkujdesjen ndaj shëndetit në stinën e verës, njeriu duhet të jetë veçanërisht i vëmendshëm ndaj veshkave.
Roli i Veshkave në Organizëm
Veshkat ruajnë ekuilibrat e lëngjeve në trup. Ato filtrojnë mineralet dhe mbetjet ushqimore apo ato të medikamenteve nga gjaku. Për këto funksione bazë, veshkat kanë nevojë për shumë lëngje që të pastrojnë organizmin nga toksinat dhe infeksionet e mundshme.
Si të përkujdeseni për Veshkat në stinën e verës
Nga rrjedha e përditshme e jetës, mund të harrojmë shumë hapa bazë për mbrojtjen e shëndetit, sidomos në ditët përvëluese të verës. Këshillohet që në verë të tregoheni të vëmendshëm ndaj shëndetit të veshkave i cili përkeqësohet si pasojë e temperaturave të larta. Këto të fundit mund të nxisin formimin e gurëve në veshka ndërkohë që dehidratimi mund të shkaktojë një dështim akut të tyre.
Konsumoni më shumë lëngje
Konsumi i pakët i lëngjeve dhe ujit mund të nxisë infeksionet e veshkave dhe ato urinare sepse veshkat nuk e pastrojnë organizmin dhe toksinat mbeten brenda nesh. Këshillohet konsumin e 1.5 deri në 2 litra ujë në ditë për të mbajtur infeksionet larg. Uji me limon dhe dhalla janë dy mënyra të mira jo vetëm për tu hidratuar por edhe për më shumë shëndet.
Kujdes me Medikamentet
Tregoni durim me dhimbjen dhe përpiquni të frenoni dëshirën për të konsumuar një ilaç kundër dhimbjes. Konsumi i tepruar i këtyre ilaçeve mund të shkaktojë probleme në funksionin e veshkave. Një prej këtyre ilaçeve që i bën dëm veshkave është ibuprofeni i cili nuk duhet konsumuar rregullisht dhe pa u konsultuar me mjekun.
Shmangni Kafeinën
Kafeina ju dehidraton dhe ky i fundit i stërmundon veshkat. Përpiquni të hani sa më shumë perime dhe fruta të cilat e mbajnë trupin të freskët. E fundit por jo nga rëndësia, ekspertët këshillojnë shmangien e qëndrimit afatgjatë në diell që të mos dehidratoheni.