Me kohën e stërzgjatur që jeni duke e kaluar në shtëpi gjatë pandemisë së COVID-19, trupi është duke u adaptuar në rutinën e re. Lëkura si organi më i madh në trupin tuaj, gjithashtu e ka të vështirë të kuptojë se çfarë po ndodh dhe mund të reagojë në forma jo shumë të dëshirueshme për ne.
Lëkura gjatë karantinës
Aknet
Shumica e ekspertëve të lëkurës në botë pajtohen që një nga çështjet më të zakonshme të karantinës që po shohin është rritja e çrregullimeve të lëkurës sidomos të akneve. Stresi i vetizolimit gjatë pandemisë mund të shfaqet në formë të akneve dhe shenjave (lezioneve). Po ashtu, ndikon edhe ndryshimi i mënyrës së të ushqyerit (dieta) dhe i rutinës së rregullt të kujdesit të lëkurës – veçanërisht nëse jeni mësuar të bëni trajtime të rregullta.
Stresi mund të ndikoj edhe tek personat që nuk kanë pasur problem më herët me akne, mund të kenë kokëzeza (komedone të hapura) dhe kokëbardha (komedone të mbyllura).
Stresi nxit gjëndrat mbiveshkore në mbiprodhim të kortizolit. Kortizoli ndryshe njihet edhe si hormoni i stresit që shkakton shumë ndryshime jo të dëshirueshme në organizëm. Është përgjegjës për stimulimin e gjëndrave sebaceoze të prodhojnë më shumë sebum (yndyrë), duke e bërë lëkurën tuaj të yndyrshme. Kështu, në periudha stresuese, njerëzit pësojnë një rritje të akneve të inflamuara, të mbushura me qelb, që kanë tendencë të mbesin lezione (shenja).
Skuqje dhe ndjeshmëri
Stresi jo vetëm që do të shkaktojë akne, por edhe skuqje, dermatit, ekzemë, acarim, dhe rritje të ndjeshmërisë, duke ju paralajmëruar që shëndeti juaj aktual, stresi fizik dhe mënyra e jetesës përbëjnë 70 përqind se si lëkura juaj do të plaket.
Të qëndruarit brenda për periudha të zgjatura kohore mund të ndikojë në disponimin tuaj, i cili përfundimisht mund të shfaqet në lëkurën tuaj në formë të skuqjes. Studimet kanë treguar që lëkura ka tendencë të mbetet e pastër, rrezatuese dhe të shfaqet e shëndetshme kur jeni në disponim të mirë. E kundërta ndodh kur jeni të nervozuar apo pa disponim dhe lëkura mund të skuqet.
Thatësi
Pastrimi i shpeshtë i duarve që njerëzit po e praktikojnë gjatë kësaj periudhe, përfundon në lëkurë atopike/shumë të thatë. Në të njëjtën kohë, për shkak të virusit, pastrimi i shpeshtë i fytyrës mund të shkaktojë thatësi dhe flakëri. Për më tepër rreth pastrimit të shpeshtë të duarve mund të lexoni artikullin e mëparshëm: Larja e shpeshtë e duarve: Si të pengoni tharjen e lëkurës dhe ekzemën.
Për lëkurë të thatë, përdorni serume dhe ujësues që përmbajnë antioksidantë. Përdorimi i një produkti me acid hialuronik (pas pastrimit) gjatë natës, shton ujësimin e lëkurës si dhe vepron kundër rrudhave.
Shpërthim i gjendjeve si psoriaza dhe ekzema
Stresi i shtuar jo vetëm që mund të na shkaktojë aknet, por mund të shpie në ndezje të lëkurës si rosacea ose psoriaza. Studimet sugjerojnë që për shkak të këtij stresi, më shumë kortizol po prodhohet nga trupi duke shkaktuar akne, psoriazë, dhe ekzemë për ata që janë të prirur ndaj këtyre problemeve. Rënia e flokëve, vitiligo apo edhe alergjitë janë një grup tjetër i problemeve që mund të rastisim.
Këto lloj problematikash nuk duhet të injorohen ndërsa jeni në karantinë.
Gjendjet e lëkurës si hidradenitis suppurativa, psoriaza e rëndë, aknet, ekzema, melanoma, dhe karcinomat e qelizave skuamoze agresive kërkojnë trajtim të menjëhershëm.
Falënderimi i lëkurës gjatë karantinës
Gjasat janë që gjatë kësaj kohe jeni ekspozuar shumë më pak në diell dhe makijazhi ndoshta nuk është përdorur fare. Ju rikujtoj që ekspozimi në diell është përgjegjës të minimum 80% të plakjes së parakohshme. Ndërsa makijazhi është përgjegjës për mjaft shumë efekte të dëmshme, në veçanti humbja e shkëlqimit të lëkurës, plakja e parakohshme, mbyllja e poreve, ҫujësimi i lëkurës, me raste vërehet edhe kokëdhimbja pasi që kimikaliet kanë mundësi ta përshkruajnë lëkurën dhe të kalojnë në qarkullimin sistemik.
Lëkura ju falënderohet për kujdesin e imponuar gjatë karantinës dhe ju lutet që ta vazhdoni edhe pas!
Përdorni faktorin mbrojtës SPF edhe nëse jeni brenda gjithë ditën
Edhe nëse po izoloheni në një apartament të vogël me shumë pak dritare, faktori mbrojtës ndaj diellit SPF është thelbësor për të mbrojtur lëkurën tuaj. Rekomandoj që të përdoret faktori mbrojtës SPF 50+ në mënyrë që t’ia pamundësojë diellit rrezatimet UV-A dhe UV-B në lëkurën tuaj.
Mendimi i gabuar më i madh për diellin është se mënyra e vetme e dëmtimit të lëkurës është kur të ekspozoheni në rrezet e diellit direkt gjatë muajve të nxehtë të verës. E vërteta është se nga lindja deri në perëndim, dielli liron rrezet ultravjollcë. Edhe nëse bie shi, bie borë ose ka re, rrezatimi sërish mund të dëmtoj lëkurën tonë. Nëse jeni brenda dhe mund të shihni përmes dritareve botën e jashtme, atëherë rrezatimi ultravjollcë po hynë brenda dhe po ju shef juve – dhe lëkurën tuaj të çmuar!
Këto rreze mund të shkaktojnë plakjen e parakohshme dhe kancerin e lëkurës, ngase mund të depërtojnë përmes reve dhe dritareve.
Këto rreze janë vërtetë dëmtuese sepse nuk mund t’i ndjeni, por që po ndikojnë në lëkurën tuaj shumë, pa e kuptuar as ju vetë.
Aktiviteti fizik për uljen e stresit
Siҫ e përmendëm që stresi ka të ngjarë të jetë një nga shkaqet kryesore për çdo ndezje të lëkurës, përveç përdorimit të produkteve për të qetësuar këto simptoma, aktiviteti fizik gjithashtu mund të ketë një ndikim të madh në fytyrën tuaj.
Aktiviteti fizik do t’i ndihmojë trupit tuaj për të ulur kortizolin, që është një mënyrë shumë e mirë natyrale për të zvogëluar stresin dhe për të ju ndihmuar që të mbani lëkurën tuaj të pastër. Mos harroni të bëni dush menjëherë pas ushtrimeve. Ju lutem mos pushoni të djersitur.
Dieta
Dieta është një tjetër kontribuues në mënyrën se si lëkura juaj duket. Është lehtë t’i nënshtroheni tundimit dhe të hani ushqime të papërpunuara ose ushqime të shpejta. Konsumimi i shtuar i alkoolit mund të rrisë ҫujësimin e lëkurës, të shkaktojë inflamacion dhe skuqje për shkak të dilatimit (zgjerimit) të enëve të gjakut nën lëkurë.
Mbani në mend që është shumë e rëndësishme t’i përmbaheni një regjimi të shëndetshëm të ngrënies.
Mungesa e Vitaminës D
Të qëndruarit brenda më shumë sesa normalja, mund të zvogëlojë aftësinë e trupit për të riparuar dhe për të rindërtuar lëkurën, për shkak të mungesës së vitaminës D. Mundohuni të lëvizni dhe të bëni ushtrime në ambiente të hapura, duke respektuar distancimin me të tjerët. Mund të qëndroni në ekspozim të diellit për më pak se 30 min., duke aplikuar faktorin mbrojtës SPF 50+, 20 min. para daljes.
Gjumi
Gjumi është i domosdoshëm për jetën tuaj të shëndetshme. Në përgjithësi rekomandohet të flini shtatë deri në nëntë orë në një periudhë 24-orëshe, për t’u ndjerë freskët dhe vigjilent.
Nëse nuk merrni gjumë të mjaftueshëm, trupi juaj do të sekretojë më shumë kortizol, hormonin e stresit që mund të shkaktojë gjendjet e lartpërmendura.
Kujdesi pas karantinës
Pastroni produktet tuaja
Pas karantinimit është koha që t’i pastrojmë të gjitha produktet me afat të skaduar – disa prej të cilave kanë skaduar qe tre apo katër vite. Produktet e skaduara mund të jenë toksike për lëkurën, ato dekompozohen dhe strehojnë baktere, të cilat mund të shpijnë në irritime të lëkurës madje edhe infeksione.
Keni pasur mjaft shumë kohë që të analizoni lëkurën dhe të dini se çfarë ju duhet të përdorni për kujdes të veçantë. Hapi më i arsyeshëm pas karantinës do të ishte analiza e fytyrës, e cila përcakton saktë tipin, dëmtimet eventuale dhe kërkesat e lëkurës (për më shumë lexoni artikullin: Analiza e fytyrës.)
Trajtimet
Duke pasur në mendje që lëkura prodhon vazhdimisht qeliza te reja (keratinocide), ato bien dhe zëvendësohen me të reja. Afërsisht lëkura jonë lëshon rreth 1,000,000 qeliza të vdekura brenda një dite. Por një sasi e tyre mbesin të shtresuara në lëkurë, të njohura si qeliza të vdekura.
Shtresa e lëkurës, e njohur si stratum corneum, ka nevojë që të deskuamohet, pra të gërryhet në mënyrë që fizikisht apo kimikisht t’i largojmë qelizat e vdekura. Me largimin e tyre, mundësojmë prodhimin më të shpejtë të keratinocideve të reja, pësojmë një teksturë më të butë të lëkurës, pore të mbyllura, dhe pakësim të rrudhave.
Disa nga mënyrat janë pilingu kimik, trajtimet me lasera të ndryshëm, trajtimi hidrafacial (të cilin mund ta lexoni këtu: ‘HydraFacial’ – autolarja e fytyrës! Trajtimi më modern për rinimin e lëkurës. Mos harroni që në ditët verore me temperatura të larta nuk preferohen shumica e trajtimeve të lëkurës.
Një prej trajtimeve të tjera që preferohet është laseri kundër hiperpigmentimeve (njollave të errëta në lëkurë) si dhe kundër telangigtazive (skuqjeve në fytyrë). Trajtimi i tillë jo vetëm që do të pastronte lëkurën nga shenjat, por do të zvogëlonte poret, pakësonte rrudhat dhe të bënte një “fytyrë sikur të foshnjave.”
Mos të harrojmë edhe ndryshimet në trup. Për shkak të qëndrimit të gjatë pa aktivitet, ushqimeve të pakontrollueshme dhe rritjes së kortizolit, trupi ka gjasë që ka depozituar kalori – përkatësisht masë dhjamore. Qelizat adipoze, të njohura si qeliza dhjamore, depozitohen në shtresën e tretë të lëkurës – hipodermën – ku nga ajo shtresë na paraqet një pamje jo shume estetike. Varja e lëkurës, posaçërisht formimi i celulitit (që prekë rreth 95% të femrave), janë disa nga dukuritë e padëshiruara.
Kombinimi i trajtimeve të trupit për largim të qelizave adipoze së bashku me aktivitetin fizik dhe dietën e kontrolluar, përmirësojnë tejmase lëkurën tonë duke reduktuar celulitit dhe duke e tërhequr lëkurën. Shpesh humbja e peshës shkakton varje të lëkurës (ku aftësia e lëkurës për ta tërhequr vetën bie). Në aspektin fiziologjik shohim rënie të elastinës dhe kolagjenit, dhe pikërisht trajtimet e tilla kanë qëllimin që të shkrijnë masën dhjamore dhe të tërheqin lëkurën pa efekte anësore.
Një ndryshim tjetër shumë i zakonshëm, sipas statistikave të kërkimit në google, është qafa e varur/e dyfishtë. Qelizat adipoze depozitohen edhe ne qafë përkatësisht në zonën submentale, dhe pësojmë një varje të qafës. Me disa trajtime efikase mund të reduktohet masa e tepërt dhjamore, të ridefinohet nofulla e prerë dhe fytyra të paraqitet sërish rinore.
Meritojmë që sërish të dukemi atraktiv.