Ministria e Shëndetësisë njoftoi se mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve një pacient 69-vjeçar nga Tirana, me inicialet S.K., i cili po trajtohej në terapi intensive në spitalin infektiv.
Tashmë 33 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19.
Ndërkohë në 24 orët e fundit ka rritje të numrit të të prekurve, të lidhura me kontakte të rasteve të mëparshme pozitive por edhe vatra të reja në Tiranë, transmeton Top Channel.
Janë testuar 173 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 25 raste pozitive. Më konkretisht janë 24 të prekur në Tiranë dhe 1 në Durrës.
Ndër rastet e reja janë 15 të prekur në një call-center, kontakte të një rasti pozitiv të identifikuar dy ditë më parë.
MInistria njofton se po vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë. Në 24 orët e fundit janë shëruar 8 qytetarë.