Një ilaç që kushton lirë dhe që ekziston në sasi të mëdha, i quajtur Deksametason, mund të ndihmojë në shpëtimin e jetës së pacientëve që janë në gjendje të rëndë nga Coronavirusi.
Ekspertët britanikë thonë se trajtimi me doza të ulëta të steroidit është një zbulim i rëndësishëm në luftën kundër virusit vdekjeprurës.
Kjo substancë e ul rrezikun nga vdekja për një të tretën te pacientët që janë duke u ndihmuar me ventilator. Për pacientët që janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi, ilaçi e ul rrezikun e vdekjes për një të pestën.
Hulumtuesit kanë vlerësuar se nëse ilaçi do të ishte i qasshëm në Mbretërinë e Bashkuar që nga fillimi i pandemisë, deri në pesë mijë jetë njerëzish do të mund të shpëtoheshin. Për shkak të çmimit të tij të ulët, ilaçi do të mund të sillte përfitime të mëdha në shtetet e varfra që po përballen me numër të lartë të pacientëve me Covid-19.
Në studimin e kryer nga një ekip i Universitetit të Oksfordit, rreth 2,000 pacientë përdorën Deksametason dhe gjendja e tyre u krahasua me rreth 4,000 të tjerë, të cilët nuk e kishin përdorur këtë substancë.
Për pacientët që ishin duke u trajtuar me ventilator, ilaçi e zvogëloi rrezikun nga vdekja nga 40 në 28 për qind, ndërsa për pacientët e trajtuar me oksigjenoterapi, rreziku nga vdekja u ul nga 25 në 20 për qind.
Hulumtuesi kryesor, prof. Peter Horby, tha: “Ky është ilaçi i vetëm deri më tani që ka dëshmuar se e zvogëlon vdekshmërinë në masë të konsiderueshme. Ky është një zbulim i rëndësishëm.”
Prof. Martin Nadray, i cili gjithashtu kontribuoi në këtë studim, tha se rezultatet tregojnë që për çdo tetë pacientë që kanë nevojë për trajtim me ventilator, njëri prej tyre mund të shpëtohet nga vdekja.
Sidoqoftë, Deksametasoni duket se nuk u ndihmon të infektuarve që kanë simptoma më të lehta, me fjalë të tjera, njerëzve që nuk kanë nevojë për ndihmë për të marrë frymë.