Studime të institucioneve prestigjioze në Azi, Europë dhe Amerikën e Veriut, të përmbledhura në raportin e Organizatës Botërore e Shëndetësisë, “Ushqyesit në ujë të pijshëm” kanë marrë në shqyrtim mineralet që ndodhen në ujin e pijshëm, duke raportuar efektet që kanë ato në shëndetin e njerëzve.
Bazuar në këto raporte ka rezultuar se “ekziston një marrëdhënie domethënëse negative midis ujit të pijshëm të rëndë dhe vdekshmërisë nga kanceri i stomakut dhe zorrës së trashë.
E thënë më thjeshtë konsumimi i ujit të rëndë, ose të fortë siç njihet ndryshe, krijon kushte më të mira për parandalimin e këtyre sëmundjeve të rënda. E gjitha kjo falë kripërave minerale që gjenden në këtë ujë, ose siç njihen në gjuhën shkencore “mbetjes së thatë”.
Çfarë është “mbetja e thatë’
Në gjuhën e përditshme, ashtu sikurse togfjalëshi “ujë i rëndë’, edhe togfjalëshi tjetër “mbetje e thatë’, krijon një ndjesi negative, më së shumti për shkak të fjalëve “i rëndë” dhe “mbetje”. Por në fakt janë pikërisht këto dy elementë që e bëjnë ujin të ketë vlera të veçanta për shëndetin e njeriut.
“Mbetja e thatë” e ujit, është sasia e mineraleve të tretura në ujë dhe që përbëjnë vlerën më të rëndësishme të këtij lloj uji. Këto elemente minerale mund të dallohen pasi kemi zier 1 litër ujë në 180°. Me avullimin e ujit do të vini re mineralet që ndodhen në ujë dhe që përbëjnë atë që quhet “mbetja e thatë”.
Bazuar në udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetit (World Health Organisation), vlerat optimale të “mbetjes së thatë” në ujin e pijshëm janë 150 – 300 mg/l.
Eksperimente dhe studime të shumta kanë treguar se konsumi për një kohë të gjatë i një uji me bazë minerale të ulët ka pasoja mbi shëndetin tonë, pasi krijon defiçenca të mineraleve kryesore si dhe të elektroliteve, një pjesë e të cilave dalin përsëri nga trupi ynë me ujin.
Sa më i varfër në minerale dhe elektrolite të jetë uji që ne konsumojmë, aq më shumë minerale apo elektrolite do të nxjerrë jashtë nga trupi ynë. Largimi i këtyre elektroliteve nga trupi ynë rrezikon funksionimin e organeve vitale të trupit. Simptomat e para janë lodhje, shterim energjish, dhimbje koke dhe më pas vijnë dhimbje muskulare dhe dobësim i rrahjeve të zemrës.