Gjykata e Posaçme shtyu për të dielën seancën ku do t’i komunikohet masa e “pezullimit nga detyra” gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci.
Gjyqtari i shkallës së dytë të vetingut u pezullua në 20 maj me kërkesë të SPAK, e cila po e heton për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”. Sipas SPAK, gjatë aplikimit të tij për në KPA, Daci ka fshehur faktin se në vitin 1997 është shkarkuar nga detyra e gjyqtarit me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, çka përbënte kriter ndalues për të kandiduar në institucionet e vetingut.
Seanca në Gjykatën e Posaçme u shty për shkak të mungesës së Dacit, i cili kishte paraqitur një raport mjekësor. Ndonëse përfaqësohej nga avokati, ligji kërkon praninë e domosdoshme të personit ndaj të cilit është marrë masa në seancë.
Pezullimi i gjyqtarit Daci ka ngritur pikëpyetje mbi procesin e vetingut, por duket se çështja nuk do të jetë rast i izoluar. Të tjerë gjyqtarë të vetingut pritet të jenë objekt i kallëzimeve në SPAK.
Në një shkresë të siguruar nga mediat, Këshilli i Lartë Gjyqësor informon ish-gjyqtaren Hajrie Muçmata, të shkarkuar nga shkalla e parë e vetingit në nëntor 2019, se anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Alma Vokopola (Faskaj) është shkarkuar nga detyra e gjyqtares prej Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 1996.
E kontaktuar nga A2 Cnn ish-gjyqtarja Muçmata konfirmoi përmbajtjen e dokumentit dhe faktin se në ditët në vijim do t’i drejtohet Prokurorisë së Posaçme, SPAK, me një kallëzim kundër anëtares së KPK.