Në bazë të rezultateve të dy studimeve, moti i ngrohtë nuk e vret koronavirusin dhe as nuk e pengon aftësinë e tij për t’u shpërndarë.
Shkencëtarët amerikanë dhe kanadezë thanë se rreziku i infektimit ulet vetëm për 1.5 për qind për çdo gradë Fahrenheit mbi temeperaturën 25 gradë Celsius.
Ata i analizuan më shumë se 370,000 raste në qytete të ndryshme të Amerikës Veriore dhe arritën në përfundim se vera nuk do të ndikojë që virusi i ri të zhduket.
Këto studime e venitin shpresën se pandemia do të dobësohej në muajt e ardhshmë. Kjo teori është përkrahur edhe nga qeveria amerikane më herët. Presidenti Donald Trump muajin e kaluar tha se sipas studimeve, një kombinim i rrezeve ultra-vjollcë dhe temperaturave të larta e vret virusin brenda disa minutave.
Në njërin nga studimet, hulumtuesit e Universitetit të Torontos i analizuan mbi 375 raste të infektimeve në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada.
Ata e krahasuan efektin e temperaturës, lagështisë, mbylljes së shkollave, ndalimit të tubimeve masive dhe distancimit social për përhapjen e sëmundjes.
Rezultatet treguan se nuk ekziston ndonjë lidhje mes temperaturës dhe rritjes së numrit të rasteve të virusit.
Profesoresha Dionne Gesink tha: “Vera nuk do të ndikojë që virusi të zhduket. Është e rëndësishme që njerëzit ta dinë këtë. Në anën tjetër, sa më shumë ndërhyrje që janë në fuqi në shëndetin publik, aq më i madh efekti në ngadalësimin e përhapjes.”