Ne Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, kreu i Qeverisë, Edi Rama ka zgjedhur te ndaje me ndjekesit e tij ne rrjetin social Facebook, pamjet e Sharres se dikurshme ku mblidheshin plehrat ne Tirane dhe si eshte shnderruar ajo zone tani.
“Sharra pra Sharra, ajo e akuzave monstruoze për koncesionin e dhënë nga “qeveria e krimit që”, medemek, “paguante miliona të cilat shkonin në xhepat e oligarkëve” a ju kujtohet”, shkruan Rama, duke shtuar se “Sharra nuk është e vetmja pasqyrë e vizionit dhe ambicies sonë për sistemin e grumbullimit e përpunimit të plehrave në Shqipëri, sepse tanimë jo vetëm Elbasani ka shpëtuar nga i njëjti kancer dhe Fieri po ashtu do të ketë impiantin ultramodern të transformimit të plehrave në energji, mes një parku të ri, por edhe Durrësi do të ketë shumë shpejt në vend të vargmaleve me plehra plot me derra, në Porto Romano, një park të madh urban për të gjitha mosha”.
Mesazhi i Rames
MIRËMËNGJES
Sot është Dita Ndërkombëtare e Mjedisit
A ju kujtohet Sharra famëkeqe e deri pak vitesh? Sharra e plehrave që ngrinte çdo muzg renë e tymit mbytës mbi zonën e Kombinatit; Sharra e romëve, gra, pleq, fëmijë, që si në filmat bardhezi nga Afrika e dikurshme gërmonin me duar nëpër plehra dhe ku helmet gërmonin mushkëritë e punëtorëve të pastrimit e të banorëve të zonës; Sharra e ujrave ku plehrat merrnin lundrimin për në det, duke helmuar ujin e tokën ku ngeleshin e kalbeshin…
Sharra pra Sharra, ajo e akuzave monstruoze për koncesionin e dhënë nga “qeveria e krimit që”, medemek, “paguante miliona të cilat shkonin në xhepat e oligarkëve” a ju kujtohet?
Kur erdhëm në qeveri vendosëm t’i japim fund asaj zone kanceroze në mes të kryeqytetit, që ishte një nga turpet më të mëdha të keqqeverisjes çerekshekullore! Sapo fituam mbrapsht edhe Bashkinë e grabitur të Tiranës, nisëm punën për të shpëtuar Tiranën nga Sharra dhe Sharrën nga ferri i plehrave të kryeqytetit të Shqipërisë…
Ju lutem shikojeni Sharrën sot, ku ende nuk ka përfunduar projekti që parasheh transformimin e plehrave në energji elektrike dhe transformimin e asaj plage të tmerrshme mjedisore, në një prej parqeve më të bukur të vendit për familjet e për fëmijët, të cilët do të mundet jo vetëm të luajnë në atë park, po edhe të shohin shpendë e kafshë paqësore në natyrën e rilindur mbi atë tokë ku mbretëroi prej më shumë se gjysëm shekulli, turpi dhe mallkimi i keqqeverisjes.
*Sharra nuk është e vetmja pasqyrë e vizionit dhe ambicies sonë për sistemin e grumbullimit e përpunimit të plehrave në Shqipëri, sepse tanimë jo vetëm Elbasani ka shpëtuar nga i njëjti kancer dhe Fieri po ashtu do të ketë impiantin ultramodern të transformimit të plehrave në energji, mes një parku të ri, por edhe Durrësi do të ketë shumë shpejt në vend të vargmaleve me plehra plot me derra, në Porto Romano, një park të madh urban për të gjitha moshat.