Në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania kryeministri Edi Rama u pyet ndër të tjera nga gazetarja Bruna Çifligu për praninë e forcave të armatosura Renea tek Teatri Kombëtar dhe nëse kjo ishte e ligjshme.
“Ata nuk kanë qenë në zonën e teatrit, ata kanë qenë në godinën e ministrisë së brendshme. Dhe kanë dalë nga godina e Ministrisë së Brendshme dhe kanë hipur nëpër fugonë dhe kanë ikur sepse nuk do të konsultohen me mediat për punën e tyre dhe sepse protesta bëhet për teatrin por gjithçka mund të ndodhë jo nga protestuesit e teatrit por nga dikush tjetër që mund të ketë çfarëdolloj qëllimi edhe mund të futet në ministrinë e Brendshme, por spekuloj unë tani. Dhe çfarë duhet të ketë aty brenda? Duhet të ketë vetëm gazetarë që të shohin se si dikush hedh një bombë? Pra, ajo pamje është një spekulim i madh mediatik dhe është një turp i madh nga pikëpamja profesionale për të gjithë ju gazetarët që merreni me atë pamje dhe që xhironi mbi forcat RENEA të armatosura kur nuk kishin lidhje fare me protestën,” u përgjigj kryeministri Rama.
“Nuk kishin lidhje as me teatrin as me ata të cilët u mblodhën për teatrin? Dakord? Ishin brenda në godinë, dolën, hipën në fugon. Nuk panë as majtas as djathtas siç tregojnë dhe filmimet e tuaja dhe ikën. Ju tani që keni qenë aty, keni ju ndonjë filmim që tregon se policia ka bërë ndonjë sjellje të pa hijshme apo të tepruar ndaj atyre që ishin aty? Keni? Keni ju ndonjë provë filmike që policia ka shkelur të drejtën e dikujt që ka protestuar aty, s’keni? Atëherë çfarë diskutojmë për policinë në këtë mes? Ku hyn policia këtu? Pse ishte policia aty? Policia bën punën e vet. Rëndësi ka të bëjë punën e vet dhe duhet të jeni të gjithë të kënaqur që bën punën e vet. Mendoj unë,” përfundoi kreu i qeverisë.