Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi inspektim në zonën e Lagunës së Kune Vainit dhe Tales, në kuadër të masave për ruajtjen dhe mbrojtjen e Ministri paralajmëroi nga Lezha, nisjen në ditët në vijim të një operacioni në shkallë kombëtare për mbrojtjen e mjedisit.
Sipas tij, ndëshkimi ndaj shkelësve apo dëmtuesve të mjedisit do të jetë në dy plane, IKMT do të marrë masa administrative, ndërkohë paralelisht Policia e Shtetit do të hapë hetime penale për vepra kriminale në dëm të mjedisit.
Lleshaj tha se me kalimin e përgjegjësive për inspektimin e mjedisit tek Ministria e Brendshme, është hapur një fushë e re veprimtarie dhe një përgjegjësi e re për strukturat e saj.
“Në ditët në vijim strukturat e Policisë së Shtetit dhe ato të IKMT-së do të ndërmarrin operacione të gjera në shkallë vendi në mbrojtje të mjedisit.
Në radhë të parë, vëmendja do të përqendrohet tek të gjithë vijat ujore, tek lumenjtë e vendit, të cilët duhet të çlirohen nga derdhja e ujërave të zeza dhe derdhja e inerteve, të cilat janë shndërruar në një plagë të rëndë me pasoja të mëdha për mjedisin. Në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, në bashkëpunim ndërmjet Policisë dhe IKMT-së do të zhvillohen inspektime dhe operacione të forta për të ndaluar çdo dëmtim, i cili ka ndodhur dhe vijon për fat të keq të ndodh në ndotjen e lumenjve”, u shpreh Lleshaj.
Ai shtoi se po ashtu me vëmendje të madhe do të ndiqet edhe çështja e guroreve, e minierave, si edhe e pyjeve me qëllim që veprimtaria kriminale dëmtuese ndaj tyre të marrë një goditje të rëndë.
“Për çdo rast kur konstatohen ndërhyrje të paligjshme, derdhje mbeturinash, derdhje inertesh, derdhje ujërash të zeza, në lumenj do të veprohen në dy plane. Së pari, IKMT-ja do të marrë masat administrative përkatëse, pra gjobat përkatëse. Ndërkohë që paralelisht Policia e Shtetit do të hapë hetime penale për vepra kriminale në dëm të mjedisit që parashikohen nga Kodi Penal i RSH. Pra, në të dy krahët ne do të luftojmë fort me të dy instrumentet që kemi në dorë, qoftë instrumentin administrativ, qoftë instrumentin penal, për të frenuar, për të bllokuar këtë dëmtim që i është bërë dhe vijon t’i bëhet mjedisit tonë dhe kryesisht ujërave të vendit tonë”, sqaroi ministri.
Ai garantoi se do të sigurohen kushte që lumenjtë të sjellin ujë të pastër në det, që turistët të kenë mundësi, të shijojnë pastërtinë e ujërave, pastërtinë e rërës dhe një mjedis, i cili vërtet lejon turizëm të mirëfilltë.