Edmond Guri, përfaqësues i komunitet shqiptar në Greqi, për Ora News, u shpreh se pala greke, pavarësisht se u tha nga kryeministri Rama që është biseduar me qeverinë greke, ka aplikuar gjoba për shqiptarët që u ka tejkaluar lejeqëndrimi në vendin fqinj.
Guri tha se gjobat kanë filluar nga 600 deri në 1500 euro, duke penguar edhe një pjesë të mirë të shqiptarëve që ë lëvizin drejt Shqipërisë.
Edmond Guri: Kemi një rritje të masave në Greqi nga ana e bizneseve, duke aplikuar gjoba apo edhe mbyllje të aktivitetit. Policia është duke kryer kontrolle shumë të forta për respektimin e masave anti-përhapje të Covid-19.
Qeveria e Greqisë është e vendosur që të jetë e hapur deri në shtator në raport me sezonin turist, edhe pse specialistët kanë frikë për rritjen në masë të rasteve të reja në një fazë të dytë, çka mund të kthejë vendin deri në mbylljen.
Edhe pse u njoftua nga kryeministri shqiptar se është në bisedime me palën greke për të mos gjobiten shqiptarët të cilët kanë udhëtuar në Greqi përmes hapësirës Schengen, pala greke nuk e ka zbatuar në përpikëmëri këtë gjë. Një numër i madh shqiptarët janë gjobitur me shumë që variojnë nga 600-1500 euro. Kjo ka qenë një pengesë shumë e madhe, pasi janë penguar që të udhëtojmë drejt Shqipërisë.
Po ashtu, Guri shtoi se ka pasur probleme edhe në aplikimet për pasaporta, për të cilat u shty afati, por një gjë e tillë nuk është respektuar nga pala greke.
Edmond Guri: Kemi një problem në lidhje me aplikimet për pasaporta, pasi vërtetë është lehtësim shtyrja e vlefshmërisë, por kjo nuk është e mjaftueshme, sepse nuk vlen për autoritetet greke. Ndërkohë ambasada shqiptare në Athine nuk i ka kapacitetet për të përballuar një fluks kaq të madh shqiptarësh. Personali është i paktë dhe kjo ka bërë që të ketë konfuzion në data apo vonesa deri në tetor-nëntor./ Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti Andi Kurti