Duke e cilësuar bashkëpunimin ekonomik si një nga tre prioritetet e mandatit të saj në krye të diplomacisë amerikane në Shqipëri, ambasadorja Yuri Kim tha se prania e investimeve është e ndërlidhur me procesin demokratik të vendit, si sundimi i ligjit, lufta ndaj korrupsionit, reforma në drejtësi, reforma zgjedhore etj.
“Prandaj, ajo që dua të nënvizoj me udhëheqësit këtu, me ata që bëjnë rregullat, qofshin politikanë apo anëtarë të sistemit të drejtësisë, është se vendimet e biznesit do të merren bazuar në gjëra si, a do të zbatohen kontratat. Pse do t’i vija unë paratë e mia në një kontratë nëse nuk do isha e sigurt nëse gjykatat janë të drejta, nëse nuk do isha e sigurt që procesi i aplikimit nuk është transparent, nëse nuk jam i sigurt që dikush nuk do favorizojë një kompani tjetër?,” deklaroi Kim.
“Pra, duhet transparencë, duhet proces, dhe duhen garanci për zbatimin e ligjit. Pasi të kemi këto hallka, mendoj se do të kemi shumë interes,” shtoi ambasadorja.
Gazetarja Ilva Tare pyeti lidhur me sektorët në të cilët investuesit amerikanë do të ishin më shumë të interesuar në Shqipëri.
“Mendoj se infrastruktura dhe energjia kanë gjithmonë interes. Ato do të mbeten mallra konsumi. Mendoj se koronavirusi do të prekë tregtinë për shumë vende dhe shumë rajone në mbarë botë por ka mundësi këtu dhe unë shpresoj se korniza ligjore dhe funksionimi do të jenë në gjendje të tillë që do t’u tregojnë investuesve amerikanë se Shqipëria është një bast i mirë,” u përgjigj ambasadorja Yuri Kim.