Gazetarja e njohur e Kulturës, Elsa Demo shprehet se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do të luftojë deri në fund që ajo godinë të rikthehet ashtu siç ishte dhe hapësira publike rreth godinës të mos preket asnjë centimetër.
Ajo i cilësoi si fyese dhe poshtëruese dhe gjuhë agresive, deklaratat e bërë sot nga kreu i Bashkisë Erion Veliaj dhe Kryeministri Edi Rama, ku njëri fliste për “budallenj” dhe tjetri për “kështjellë prej balte”. Znj. Demo bëri thirrje që Teatri të kthehet në një kurban, për një ndryshim të fuqishëm që duhet të ndodhi në vend.
“Të gjithë shikojmë dritë në fund të tunelit. Autorët duhet të vihen përpara drejtësisë është bërë një krim. Po presin edhe pak nëse do t’i blejnë deri në fund gjykatat dhe prokurorinë. Policia ka ushtruar dhunë ndaj qytetarë që ishin në të drejtën e tyre të mbronin një objekt që pritej të sulmohej në mënyrë të pabesë. Jo më larg se mbrëmë kryetari i Bashkisë nuk kishte përgjigje nëse do të bëhet një garë e hapur për projektin e ri të teatrit. Akoma shpresoj që prokuroria do ta hetojë deri në fund. Aq pak njerëzillëk dhe aftësi profesionale nëse ka mbetur shpresoj që ato të vendosin drejtësi”, deklaroi Elsa Demo.
Gazetarja komentoi edhe deklaratën e bërë se godina ishte e amortizuar duke thënë se në objekt ishte vënë dorë vetëm në vitin 2004 dhe se në fund të fundit çdo shtëpi është e amortizuar. Znj. Demo e cilësoi si “të frikshëm” projektin e arkitektit daneze, Bjake Ingels.
“Besoj se ai teatër do të bëhet ashtu siç ishte aty ku ishte pa i vjedhur hapësirës publike asnjë centimetër. Nëse do të bëhet teatri i Ingels, as vetë aktorët dhe as qytetarët nuk janë më pronarë të atij teatri por do të jenë disa ultra qytetarë, një dorë e selektuar pasunarësh që do të jetojnë në atë zonë. Sa i frikshëm është ai projekt, e mbyt me densitetin e kullave atë zonë”, shtoi
Në fund gazetarja bëri një apel të fortë dhe për dy partitë opozitare që i janë bashkuar kauzës së tyre, PD-së dhe LSI-së. Ajo kërkoi që të dy kryetarët duhet të distancohen nga dhuna ndaj aktorit Gentian Shkurt dhe u kërkoi të mos e ndyjnë këtë lëvizje qytetare siç vepruan me protestën e studentëve.
“Regjisori Budina e bëri të qartë që kjo protestë është e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe nuk është një mall apo tokë pa zot dhe të protestosh do të thotë të tregosh dinjitet qytetar.
Ata elementë që kanë goditur Gentian Shkurtin, nëse janë elementë të PD apo LSI, unë kërkoj që kryetarët e partive të distancohen nga dhuna se po përsëritet i njëjti model si në protestën e studentëve. Ju lutem, mos e ndyni një lëvizje qytetare”, deklaroi znj. Demo.