Deklarata e kryeministrit Rama se qeveria ka gati projektligjin për ligjërimin e prodhimit të kanabisit për qëllime mjekësore, u komentua nga përfaqësuesit e opozitës në vend si një përpjekje e kryeministrit për të rikanabizuar vendin për qëllime elektorale.
Ish-presidenti Bamir Topi shprehu qëndrimin e tij kundër legalizimit të kanabisit.
Topi tha se kjo nismë e marrë nga qeveria po bëhet në kohën e gabuar dhe nga kryeministri i gabuar.
“Duket një sjellje jo normale politike. Në rast se shikon programin e PS nuk e ke të shkruar në asnjë vend se PS në pushtet do t’i japë mundësi administratës për të hapur drafte për përpunimin e kanabisit. Në rast se ka njeri që nuk duhet ta bëjë këtë për shkak të një precedenti të rëndë që ka me kanabisin, është kryeministri aktual.
Nëse do jetë një kryeministër tjetër që do ta hapë këtë temë mund të bëhet por ky jo. Ky ka edhe një ministër që po hetohet për këtë çështje. Çështjet e tilla kur ke një proces për tu integruar në BE dhe je i akuzuar si vend për tregtimin dhe lulëzimin e kanabisit si asnjë herë më parë, unë besoj se këtu ka mungesë të kredibilitetit”, tha ai për Top Talk.