Azem Hajdari flet për kujtimin e veçantë nga babai: Emri i tij, amaneti më i bukur

0
Gjigandi

Azem Hajdari flet për herë të parë në një intervistë për Abc News mbi jetën, politikën, familjen dhe kujtimin për të atin të konsideruar si “pishtari i demokracisë”.

Më i vogli i familjes gëzon sot plot 22 vite, pasi lindi pikërisht pak muaj pas ndarjes nga jeta të babait të tij.

Thotë se edhe pse nuk e ka njohur atë, e quan një nga frymëzimet më të mëdha, ndërsa me krenari e cilëson motivuesin më të madh shpirtëror dhe ruan me fanatizëm një unazë që i përkiste atij.

Hajdari nuk e fsheh interesin për t’u përfshirë në sferën politike në një të ardhme ndoshta jo shumë të largët, ndërsa shprehet se politika shqiptare sot është në duart e disa njerëzve që mendojnë për interesat personal duke lënë pas mirëqenien e popullit.

Vendimin e kryedemokratit Lulzim Basha për të djegur mandatet e quan një vendim rrufe, duke ndarë të njëjtin qëndrim me motrën e tij e cila vendosi të qëndrojë në Kuvend.

RonaTyra

Kritikat ndaj Rudinës, Azem Hajdari i quan të padrejta, ndërsa duke peshuar qëndrimin e saj dhe vëllait të madh Kiri, thekson se të dy ata qëndrojnë në krah të demokracisë.

-Ju jeni ende në moshë të re dhe deri më sot keni qëndruar jashtë sferës publike dhe politike. Por duke qenë se mbani emrin e babait tuaj që konsiderohet si “Pishtari i Demokracisë” jo pak herë keni qenë në vëmendjen e mediave. A ju bezdis ky fakt?

Vëmendja e mediave nuk më bezdis aspak, përkundrazi e shoh si një mundësi më të mirë për të kontribuar për vendin një ditë kur të jetë momenti i duhur.

-Çfarë studioni dhe çfarë ju ka shtyrë në këtë drejtim?

Momentalisht po ndjek studimet në degën Drejtësi, Bachelor. Për mua një formim i tillë ka përzgjedhjen më të duhur të informacionit për të ardhmen.

-E keni menduar ku e shikoni veten në të ardhmen, në fushën e drejtësisë si nëna juaj apo keni ndërmend t’i futeni politikës?

Pasionin tim për të drejten kam vendosur ta ndjek nëpërmjet angazhimit në jetën politike. Per mua një politikbërje e mirë forcon shtetin e së drejtës.

-A ka ndikuar fakti që mbani emrin e babait tuaj në ecurinë e jetës tuaj apo qoftë edhe në vendimet për të ardhmen?

Unë nuk e kam njohur babain tim por në jetën time ai është shembulli, frymëzimi, motivuesi i madh shpirtëror dhe mbajtja me nder e emrit të tij është amaneti që më është lënë.

-Çfarë mendoni për politikën në Shqipëri dhe situatën ku ajo ndodhet aktualisht?

Mendoj se politika në Shqipëri është ndër ditët e saj më të këqija pasi ndodhet në duart e disa njerëzve të shtirur, që veprojnë për interesa personale pa menduar për të mirën e popullit.

-Nëse në një të ardhme ndoshta jo shumë të largët do merrnit një ftesë për t’u angazhuar në politikë do e pranonit?

Angazhimi dhe kontributi im në politikë është një çështje e lënë kohës së duhur për të cilën nuk e shoh të nevojshme një ftesë.

-Jeni ju mbështetës i qëndrimit në parlament i motrës suaj, Rudina Hajdari, pas vendimit të Partisë Demokratike për të djegur mandatet?

Jam pro çdo qendrimi idealist që nuk ndjek vendime rrufe të kryetarit të partisë, por interesin e sovranit. Djegia e mandatit nuk besoj se ishte zgjidhje e mirë dhe koha po e vërteton.

-Vendimi i saj solli shumë reagime në media, ndërkohë që shumë figura politike të PD e kritikuan. Si i pritët ju këto qëndrime?

Kritikat ndaj Rudinës i shoh të padrejta, pasi cdo çdokush mund të zgjedhë rrugën më të lehtë dhe të sigurojë karrierën politike duke ndjekur verbërisht vendimet e kryetarit te partisë, por vlera e vërtetë është të zgjedhësh rrugën më të vështirë dhe rrezikun për hir të demokracisë dhe mbarëvajtjes së shtetit.

-Vetë motra dhe vëllai juaj duket se kanë shfaqur qëndrime të ndryshme në këtë pikë, pasi Rudina Hajdari ka qenë kundër kryedemokratit Lulzim Basha për të dalë nga parlamenti, ndërsa Kirin e kemi parë të shfaqet në disa prej protestave kombëtare që ka mbajtur opozita. Ju çfarë mendoni për këto dy pole le të themi, brenda familjes?

Nuk do t’i quaja pole dhe aq më pak të kundërta pasi të dy qëndrojnë krah demokracisë.

-Çfarë marrëdhënie keni me nënën, motrën dhe vëllain? A kanë ndikuar ata në vendimet tuaja për jetën?

Marrëdheniet tona janë më të mirat e mundshme por personi i vetëm që ka ndikuar në vendimmarrjen e jetës sime është babai im edhe pse nuk e kam takuar kurrë.

-A mbani me vete sende që i përkisnin babait tuaj?

Po, kam një unazë që i perkiste atij.

-Çfarë ndjesie është të kesh emrin e babait që nuk e ke njohur? E ke ndjerë ndonjëherë detyrim për të ecur në hapat e tij për të përmbushur ato që ai la përgjysmë?

Është një përgjegjësi shume e madhe por pavarësisht se nuk e kam njohur, familjar dhe të njohur vërejnë se ndajmë të njëjtin karakter dhe pasione. Për mua përmbushja e ëndrrës së tij është detyrimi më i madh i jetës sime.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu