A janë të ngrira marrëdhëniet Rusi-Shqipëri? Ambasadori i Rusisë në vendin Shqipëri Mikhail Afanasiev tha në studion e Ilva Now se “nuk është Rusia pala që po pengon bashkëpunimin midis dy vendeve.”
“Do t`ju them sinqerisht se Rusia është e interesuar të zhvillojë marrëdhëniet me Shqipërinë në të gjitha fushat. Në Moskë mendojnë se për këtë ekzistojnë të gjitha parakushtet e nevojshme,” u shpreh Afanasiev, duke shtuar keqardhje që format e bashkëpunimit janë shumë të pakta.
Duke u thelluar në marrëdhëniet ruso-shqiptare, ambasadori kujtoi si shembull pozitiv bashkëpunimin shqiptaro-rus gjatë Bashkimit Sovjetik dhe tha se Rusia është e gatshme t’i propozojë Shqipërisë bashkëpunim në shumë fusha.
Gazetarja Ilva Tare e pyeti diplomatin Afanasiev lidhur me raportimet mediatike ruse që e përshkruajnë Shqipërinë me nota islamike, të kriminalitetit të lartë dhe “Shqipërisë së Madhe”.
“Personalisht nuk kam dëgjuar asnjëherë vlerësime negative të Shqipërisë nga ana e opinionit publik rus apo rrethet proqeveritare të vendit tim. Historikisht Shqipëria është konsideruar një shtet miqësor. Përsa i përket karakteristikave të Shqipërisë si një shtet kriminal, islamik apo ekstremist, ato gjenden në botimet e disa mediave, të cilat nuk pasqyrojnë këndvështrimin zyrtar,” u përgjigj diplomati.
Afanasiev komentoi gjithashtu deklaratat e kryeministrit Edi Rama në takimin me ministrin e jashtëm rus, Sergej Lavrov për qëndrimin e Shqipërisë krah NATO-s, SHBA-së dhe BE-së.
“Të zgjedhësh miq ose partnerë për vete është një e drejtë e padiskutueshme e secilit vend. Nëse pala shqiptare e vendos vetë veten në korniza kaq të ngushta, ne s’kemi ç’interpretojmë. Megjithatë dua të rikujtoj se bota e sotme ka kohë që ka humbur unipolaritetin e saj,” u përgjigj përfaqësuesi rus në Shqipëri.
Një tjetër temë delikate e trajtuar gjatë intervistës në Euronews Albania ishte zotimi i kryeministrit Rama për rishikimin e marrëveshjen me Rusinë të nënshkruar në vitin 2004 me qeverinë socialiste të asaj kohe.