Dredhëzat gjenden në grupin e atyre frutave me të cilat automatikisht e ndërlidhim verën, diellin, akulloret dhe ëmbëlsirat. Edhe vetë aroma e tyre për shumë njerëz është e parezistueshme dhe menjëherë me nostalgji i kujtojmë ditët e rinisë kur kemi shikuar se si nënat tona i përgatisin dhe me to bëjnë ëmbëlsira të shijshme.
Nuk është sekret se frutat kokërr janë shumë të shëndetshme dhe kanë një numër të avantazheve gjë që është arsyeja se pse duhet të konsumohen sa më shpesh të jetë e mundur, ndërsa as dredhëzat nuk janë përjashtim këtu. Në vazhdim ju sjellim pesë arsye se pse këto dhurata të kuqe të natyrës duhet të përfshihen në mesin e frutave të preferuara dhe të konsumohen në çdo rast, sidomos gjatë sezonit të verës (dhe nëse është e mundur, sa më shumë nga kultivimi lokal dhe organik të cilat kanë aromë edhe më të mirë dhe më të plotë dhe kanë përmbajtje më të madhe të vitaminave).
5 arsyet se pse dredhëzat e përmirësojnë shëndetin e njeriut:
1. Janë të pasura me antioksidantë. Sipas radhitjes së WHFood, ato ndodhen në pozitën e 4-të të ushqimeve të pasura me antioksidantë (në kategorinë e frutave). Antioksidantët kanë një rol shumë të rëndësishëm në mbajtjen e sistemit tonë kardiovaskular në gjendje të mirë dhe funksionale.
2. Janë burim i shkëlqyer i vitaminës C, e cila luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sistemit tonë imunitar dhe shëndetin e përgjithshëm. Vitamina C gjithashtu ndihmon për të luftuar stresin, ftohjen dhe gripin, dhe është faktor i domosdoshëm i dietës së ekuilibruar.
3. Përmbajnë magnez, një mineral ky që e ndihmon trupin në procesin e prodhimit të energjisë dhe ruajtjes së eshtrave të fortë dhe dhëmbëve të shëndetshëm.
4. Për shkak se përmbajnë kalium, i cili kontribuon në funksionimin e duhur të muskujve dhe sistemit nervor, ulin presionin e gjakut dhe ndihmojnë trupin të mbajë nivele të shëndetshme të elektroliteve.
5. Për shkak të përqindjes së lartë të antioksidantëve dhe vetive antiinflamatore, dredhëzat klasifikohen si fruta që ndihmojnë në luftën kundër kancerit.
Pas arsyeve të lartpërmendura, është e qartë se ky fryt përveçse duket bukur dhe ka një aromë dhe shije tërheqëse, trupit tonë i jep shumë më shumë sesa që ne mendojmë. Ekzistojnë më shumë se 600 lloje të dredhëzave, dhe disa madje i konsiderojnë ato si afrodiziakë. Gjatë revolucionit francez, Madame Tallien thuhet se kishte besuar aq shumë në përparësitë e dredhëzave saqë në banjat e saj ajo kishte shtuar nga 10 kg të dredhëzave të freskëta, për ta ruajtur lëkurën e saj të shëndetshme dhe të butë. Një tjetër gjë interesante është se dredhëzat e japin ndjenjën e ngopjes, dhe nuk është këshillë e keqe pra për ata që duan të hanë më pak.