Gjykata e Kurbinit ka dhënë masën e arrestit me burg për 21 vjeçarin Kreshnik Tusha, i dyshuar si njëri nga autorët e vrasjes së dyfishtë në Kurbin.
Masa e sigurisë për Tushën është bërë mbrëmjen e së martës në spitalin e Traumës në Tiranë ku po merr mjekim, pasi është i plagosur në këmbë.
I riu ka mohuar që të ketë lidhje me ngjarjen, por pritet përgjigja e analizimit të njollave të gjakut që do të faktojnë ose jo përfshirjen e tij në këtë krim.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 30 maj, kur 7 atentatorët, mes tyre Kreshnik Tusha, të veshur si efektivë polici mbërritën në sheshin e një hoteli “AA”, në autostradën Laç-Mamurras, ku ndodheshin viktimat dhe i gjuajtën me armë. Për pasojë, ndërroi jetë në vendngjarje, Bujar (Hasani) Lika, 37 vjeç dhe u plagosën Paulin Gjergji, 53 vjeç dhe Kreshnik Tusha 21 vjeç.
Gjergji u transportua në spitalin e Traumës ku vdiq si pasojë e plagëve të marra, ndërsa Tusha me ndihmën e bashkëpunëtorëve shkoi në shtëpinë e tij, që të ndërrohej. Ai hoqi uniformën e Policisë së Shtetit dhe i veshur civil, me ndihmë ne familjarëve shkoi në spitalin e Kurbinit. Më pas u nis drejt Traumës, ku po merr edhe mjekim.