“Sulltani dhe kandidati për sulltan janë problemi”, Patozi: Interesi i tyre na ka çuar në këtë shëmti…

0
Gjigandi

“Interesi i tyre i përbashkët na ka çuar në këtë pikë dhe në këtë shëmti. Ky është akti i fundit i një tragji-komedie, i cili do të mbyllet, por nuk do të jetë zgjidhje dhe unë jam i sigurt për këtë. Mendoj se një reformë zgjedhore sa për të kaluar radhën nuk e ndihmon qytetarin shqiptar. Unë kam përshtypjen që do të arrihet një dakordësi, por do të jetë një dakordësi minore”.

Kështu u shpreh në A2 koordinatori i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, i cili theksoi se Edi Rama dhe Lulzim Basha janë problemi i krizës në Shqipëri.

“Dy personazhet kryesorë janë vetë problemi i krizës. Vetëm nëpërmjet ambasadorëve ne mund të presim një rezultat, pasi ndryshe as që bëhet fjalë dhe ky është një turp për Shqipërinë. Kjo është një nevojë e popullit shqiptar dhe jo amerikanëve dhe ata po e bëjnë se po e kërkojnë ndërkombëtarët. Nuk është rastësi që dy personazhet, që janë njëri sulltan dhe tjetri kandidat për sulltan, janë njerëzit që nuk kanë bërë asnjë reformë zgjedhore bashkë. Reforma e fundit është bërë në vitin 2012, kur Basha nuk ka pasur asnjë rol fare. Nuk është rastësi që ai njëherë futen në çadër dhe pastaj ikën nga zgjedhjet fare. Nuk ka rrugë tjetër tani, i ka provuar të gjitha metodat radikale për t’iu imponuar kundërshtarit politik. Këta nuk duan ndryshim të vendit, por duan ndryshim të popullit. Në të gjithë botën politika i përshtatet popullit, ndërsa këta duan që populli t’i përshtatet dy personave. Këtu qëndron i gjithë thelbi. Ata po mbajnë zvarrë, edhe me faktorin ndërkombëtar”, u shpreh Patozi.

Për koordinatorin e Bindjes Demokratike, fillimisht, duhet të ndryshohet sistemi. “Më pas, duhet të bëjmë edhe disa hapa të tjerë, por këta nuk bëjnë as sistemin. Këta t’i presin të gjitha shpresat. Duhen disa reforma të mëdha edhe kushtetuese dhe pastaj mund të shohim dritë në fund të tunelit”, u shpreh Patozi.

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu