Në zonën e Alpeve të Shqipërisë është trashëguar brez pas brezi kultura e kultivimit të një specie të veçantë të qepës. Ajo njihet si Allium Cepa, ose ndryshe qepa e Drishtit, pasi në këtë zonë është mbjellë për herë të parë. Kjo qepë e veçantë zë rreth 35% të sipërfaqeve të mbjella me këtë perime.
Fara e saj sipas të dhënave është mbajtur dhe ruajtur për 200 vite. Së fundi specialist të fushës, Prof. Dr. Sokrat Jani dhe Prof. Dr. Fetah Elezi e kanë shpallur si specie të rrezikuar. Gjithçka lidhet me faktin se në vite nuk është punuar për seleksionimin dhe prodhimin e farës.
Kushtet e Kultivimit
Kjo qepë mbillet në tarraca të sheshta të cilat janë të ekspozuara në diell. Toka ka nevojë që të jetë e pasur me lëndë organike dhe të ketë mundësi ujitje. Ajo zakonisht kultivohet me qepujkë, të cilat prodhohen nga mbjellja në mënyrën e duhur të farave të kësaj qepe. Farat zakonisht mbillen në fillim të marsit dhe qepujkat janë gati për vjelje në fillim të gushtit. Pas vjeljes ato thahen dhe ruhen në hangar. Në vitin pasardhës, për prodhimin e qepës së thatë, qepujkat mbillen herët në pranverë.
Kryhen ujitje, plehërime dhe prashitje e bimëve. Prodhimi vjen për tu vjelë në gusht – shtator. Karakterizohet nga bimë që formojnë shumë gjethe. Ato janë të gjata, me ngjyrë të gjelbër të çelur dhe mbulohen nga një shtresë e hollë dyllore. Bulbet kanë madhësi mesatare. Luspat e jashtme, mbështjellëse të bulbit, kanë ngjyrë tjegulle, me nuanca më të errëta ose më të çelura. Luspat e brendshme kanë ngjyrë të bardhë qumështi. Ato përmbajnë 12-16% lëndë të thatë dhe janë djegëse.
Qepa e Drishtit gjendet në dy forma kryesore:
1. a) Forma me bulb konike të zgjatur, me luspa të jashtme të trasha. Është forma që ruhet më mirë e më gjatë pas vjeljes.
2. b) Forma me bulb të rrumbullakët. Kjo formë ka luspa të jashtme të holla. Ruhet për një periudhë relativisht më të shkurtër.
Është mesatarisht e qëndrueshme ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve. Gjithashtu jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm. Preferohet për konsum të freskët dhe gatim në familje dhe tregun lokal.