Gjykata e Tiranës dënon me nga 10 vite burgim Florian Picallin dhe Risild Sina, të cilët përdhunuan në ambientet e një hoteli në Tiranë një vajzë të mitur 15-vjeçe. Vendimi është dhënë pesë ditë më parë nga gjykata, ku trupi gjykues ka deklaruar fajtor dhe dënuar fillimisht me 15 vjet burgim për secilin të pandehur, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ky dënim është ulur përfundimisht me 10 vite.
Të dy personat gjatë gjykimit e kanë pranuar autorësinë e krimit, por janë shfajësuar para gjykatës se nuk e dinin që vajza ishte e mitur dhe se kishin kryer marrëdhënie seksuale me dëshirën e saj. Sipas vendimit të gjykatës vajza ka deklaruar se prej disa kohësh komunikonte në rrjetet sociale me Florian Picallin, por që ajo e kishte njohur me emër tjetër, si ai i ishte prezantuar.Pas disa komunikimeve e mitura i kishte dërguar edhe disa foto intime nëpërmjet telefonit.
Në datën 26 gusht 2019 të dy së bashku kanë komunikuar duke lënë dhe takim në datën 27 gusht 2019 në qendër të Tiranës dhe pas komunikimeve me mesazhe dhe zanore, në një moment Florian Picalli e kërcënon vajzën duke i thënë: “do të vij të marr me makinë se mos bën ndonjë gabim e merr ndonjë mbrapa se për zotin ta … racën ok???”
E mitura, ka shkuar e para në qendër të Tiranës ku më pas kanë ardhur Florian Picalli dhe një djalë tjetër që i është prezantuar si “Orisi”, por që kishte emrin Risil Sina. Pasi janë takuar dhe kanë pirë një kafe Florian Picalli i ka kërkuar të miturës që të shkonin në një hotel. Sipas dëshmisë së vajzës, ajo ka pranuar për faktin se Florjani i dispononte disa foto intime të sajat dhe nëse nuk pranonte mund t’i nxirrte dhe t’i publikonte në rrjetet sociale.
Florjani ka ikur fillimisht me motor për tek hoteli dhe në këmbë kanë shkuar Risi Sina dhe e mitura. Para policisë dy të pandehurit kanë deklaruar se marrëdhëniet janë kryer me dëshirën e saj dhe jo me dhunë. Ndërsa e mitura ka deklaruar se pavarësisht se kishte pëlqime ndaj Florian Picallit, kreu marrëdhënie seksuale nën presionin e publikimit të mundshëm të fotove intime. Sipas dëshmisë së vajzës së mitur, ajo ishte ndjerë shumë keq ku prezent ishte dhe një person i tret, Risil Sina dhe nuk kishte pasur dëshirë të kryente marrëdhënie me të, por ishte detyruar nga Florian Picalli.
Përpara trupit gjykues, dy të rintjë kanë pranuar krimin e bërë, por kanë shtuar më tej se nuk kanë qenë në dijeni se vajza me të cilën kishin abuzuar, ishte e mitur.