Emocionet e Asanit

0
Gjigandi

Jasir Asani e ka nisur me këmbën e mbarë aventurën tek AIK Stokholm, pasi e ka gjetur golin që në ndeshjen debutuese në kampionatin suedez. 25-vjeçari shënoi në fund të ndeshjes golin e dytë për AIK, i cili në javën e parë ka mposhtur Orebon në shifrat 2-0.

Asani është i huazuar nga Partizani deri në fund të gushtit, kohë e cila pritet t’i shërbejë AIK-ut për të vendosur për blerjen e sulmuesit. Sulmuesi shënoi një gol spektakolar në debutim dhe trajneri i skuadrës suedeze, Rikard Norling, ka qenë i kënaqur me lojtarin nga Shkupi.

“Duke qenë se e ardhmja e tij në skuadrën tonë nuk ishte e sigurt, Asani e kishte humbur disi besimin. Tashmë që futbolli është rikthyer, unë e kam vendosur atë në një rol ku në të kaluarën luante Erik Otieno, i cili është dëmtuar. Unë mendoj se Asani bëri shumë mirë. E lashë në fushë për gjithë ndeshjen, pasi ai po bënte shumë mirë”, u shpreh Norling për mediat suedeze.

Ndërsa Jasir Asani, në lidhje me këtë debutim spektakolar me AIK është shprehur: “Jam shumë i lumtur që shënova gol. Normal më shumë jam i lumtur për fitoren. Shpresoj të vazhdojmë kështu siç e kemi nisur me fitore. Kisha pak emocione, sepse ishte ndeshja e parë në kampionatin suedez dhe me një klub shumë të madh. Por më kanë ndihmuar shumë shokët e ekipit që të ambientohem shpejt.

Gjithashtu jam i lumtur që nisi kampionati. Kemi qenë shumë të përgatitur për këtë ndeshje, tani shpresoj të shënoj gol edhe në takimin e radhës që e luajmë të mërkurën. Pozicioni? Edhe më herët kam luajtur në pozicione të ndryshme gjatë karrierës sime, ndaj nuk e kam fare problem. Për mua më shumë rëndësi ka të luaj sa më shumë ndeshje”.

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu