Kush është i arrestuari për të shtënat drejt kompleksit “Eiffel”, e kishte kthyer shtëpinë në bazë armatimi

0
Gjigandi

Një person i cili e kishte kthyer shtëpinë e tij në bazë armatimi, si pjesë e një grupi kriminal u arrestua ditën e sotme nga policia e Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar “Yrsheku”.

I arrestuari është Gëzim Haroku, banesa e të cilit përdorej si bazë për të fshehur armët dhe municionet luftarake të grupit kriminal.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Gëzim Harokut, efektivët e policisë zbuluan një arsenal armesh dhe municionesh që përdoreshin nga një grup i strukturuar kriminal, pjesë e të cilit ishte edhe i ndaluari.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 15 armë zjarri, një mitraloz i lehtë, 7 kallashnikovë, 3 pistoleta, 2 armë automatike MP7, 1 pushkë me dylbi dhe 1 armë gjahu , 10 granata dore, 10 detonatorë, 10 kallëpe me tritol dhe fitil zjarrpërcjellës, një sasi fishekësh, një automjet dhe dy motorë sportivë.

Prangosja e Harokut erdhi pas hetimeve lidhur me ngjarjen e ndodhur në datën 15 qershor, ku në rrugën dytësore Tiranë-Vorë, ku u qëllua me armë në drejtim të kompleksit ‘Eiffel’, në pronësi të Enver Çaushit.

Si rezultat i hetimeve intensive u siguruan informacione në rrugë operative se armët e përdorura dhe motomjeti me të cilin ishin larguar autorët ndodheshin në banesën e Gëzim Harokut.

Po në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dyshohet se bashkautor në këtë ngjarje është edhe shtetasi Erigers Mihasi, i cili arriti që ti shpëtonte policisë.

Bazuar në informacionet e marra, efektivët e komisariatit Nr. 6, të mbështetura nga forca e posaçme “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan operacioni “Yrsheku”, në kuadër të të cilit u vu në pranga Gëzim Haroku, dhe u shpall në kërkim shtetasi Erigers Mihasi.

Aktualisht vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin e pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi kriminal dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtij grupi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu