Pas më shumë se 9 orësh është mbyllur takimi mes Këshillit Politik për reformën zgjedhore dhe treshes së ambasadorëve, asaj të SHBA-ve, Yuri Kim, kryediplomatit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca dhe kreut të diplomacisë britanike Duncan Norman.
Duke folur për mediat ambasadorja Kim tha se ishte një takim i gjatë, por ka pasur progres.
Edhe pse foli për progres ambasadorja u shpreh se takimi do të vijojë nesër, duke lënë të kuptohet se ende mungon dakordësia mes palëve shqiptare.
“Ishte një ditë e gjatë dhe e vështirë, takim prej 9 orësh, por progresi u bë.
Të gjithëve iu kërkua që të japin në mënyrë që Shqipëria të fitojë. Shqipëria është në një fazë kritike. 25 marsi ishte pikë kthese. Është një votë për të ardhmen e Shqipërisë në Evropë.
Do të takohemi sërish nesër. Nëse konsensusi për këto pika të cilat ODIHR ka kërkuar nuk arrihet, atëherë partitë nuk duhet t’i vazhdojnë më këto kërkesa. Ne duam Shqipërinë në Evropë”, tha Yuri Kim.