Duket se as kjo e hënë e pritshme nuk do të jetë dita e rifillimit të transportit publik në vend, pas mbylljes së aktivitetit për më shumë se tre muaj për shkak të pandemisë së Covid-19! Shoqata e transportit ka bërë një tjetër dalje publike vetëm pak minuta më parë, duke pohuar se ata janë të vendosur për të mos lëshuar “pe” në kërkesat e tyre ndaj ministrisë së Infrastrukturës.
Shoqata e Transportit kanë bërë me dije se nuk do të fillojë aktivitetin më 22 qershor, pa u ndryshuar protokollet dhe pa u plotësuar kërkesat e tyre. Sipas Shqiptarja.com, ata kanë deklaruar se kërkojnë një takim me ministrinë e Infrastrukturës ose kryeministrin Edi Rama që t’u parashtrojnë qartë kërkesat e tyre, pasi deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tani.
“Ne do të hapemi kur financiarisht do jemi gati, por për ne është e pamundur. Përfaqësojmë transportuesit e ndershëm, që kanë 30 vite që i shërbejnë popullit. Nuk na ka ardhur asnjë ftesë për takim nga Ministria. Donin ta bënim te lokomotiva për t’i treguar klasës politike që ata e vranë trenin, mos e vrisnin autobusin, mos e vrisnin transportin publik. Përfaqësuesit e transportit publik në Shqipëri, bëjnë të ditur se nëse financiarisht nuk bëhet e mundur, nuk fillojmë shërbimin. Kemi kërkuar rishikimin e protokollit, nëse nuk bëhet e mundur sipas çdo vendi të botës, s’kemi pse shpikim gjëra, nuk është funksionale, jo përgjegjësi i operatorit sjellja e pasagjerëve në bord, kemi fatorini jo polic. Kjo dalje publike është një klithmë për t’i bërë thirrje Ramës që të paktën të ulemi në një tryezë, deklarata e ministrisë nuk qëndron aspak. Ne jemi unioni i disa shoqatave dhe mbi 90% të operatorëve në vend”, thanë përfaqësues të Shoqatës së Transportit.
Kërkesat e Shoqatës së Transportit
1- Të hiqet akciza për naftës dhe taksave për karburantin si sektori i peshkimit.
2- Të ulet TVSH-ja nga 2% në 0% për këtë vit dhe më pas në vitin e ardhshëm të jetë 6%.
3-Rimbursimin e kapacitetit të munguar si pasojë e masave kufizuese.
4- Rimbursimin në burim i kategorive të cilat përfitojnë transport falas
5-Dje iu shtua dhe kërkesa e pagesës shtesë për shtyrjen me një javë të hapjes së shërbimit.
Vendimet e qeverisë në mbështetje të shoqatës së Transportit
1.Njohja si shpenzim i zbritshëm të 100% të konsumit të naftës, nga 43% që ishte deri më sot, me një efekt prej rreth 7 milionë dollarësh në buxhetin e shtetit;
2.Heqja e të gjitha taksave dhe tarifave vendore për subjektet e transportit publik, deri në 31 dhjetor 2020.