Moisiu kujton miqësinë me Moikom Zeqon: Fatkeqësi që tek ne njihen më shumë trafikantët dhe kriminelët

0
19
Gjigandi

Është shuar ditën e sotme një nga penat më të çmuara të vendit tonë. Në moshën 71-vjeçare Moikom Zeqo ndërroi jetë në shtëpinë e tij, si pasojë e një sëmundje të rëndë. I cilësuar si një nga zërat më të mënçur të vendit tonë, Zeqo ka lënë pas një trashëgimi të të madhe.

Karrierën e nisi si gazetar e mësues, por dashuria për artin, kinematografinë, letërsinë, arkelogjinë e bëri t’i përkushtohej edhe këtyre fushave. Për të lënë pas më shumë se 60 tituj, të përkthyer në disa gjuhë të botës.

Por, veç artit e historisë, me urtësinë e vetë që e karakterizonte Zeqo jo pak herë i tërhiqte veshin politikës dhe frymëzonte gjithë ata që e dëgjonin.

“Vetëm rinia mund të ndalojë një katastrofë që është më e keqe se katastrofa natyrore. Shpresa është te ju, të rinjtë. Çdo brez ka një mision dhe këtë mision keni ju, atë të shpresës. Jo vetëm e “Fundjavë Ndryshe”, por edhe Shqipërisë e historisë ndryshe.

Nisma të tilla tregojnë një ndërgjegje shumë herë më të lartë se e politikanëve. E quaj më të lartë një ndërgjegje të tillë pa interes të vullnetarizmit, sesa te politikanët. Në një kohë kur këta të fundit e kanë detyrë shtetërore.

Pak vende mund të mburren me historinë kaq të pasur sa e jona. Kam besim që Shqipëria nuk do të braktiset. Do gjendet forca te të rinjtë që ta duan këtë vend.”

Këtë mesazh shkrimtari e ka dhënë pasi është takuar me të rinjtë që janë pjesë e “Fundjavë Ndryshe”.

Dhe në po të njëjtat ambiente, ish-presidenti Alfred Moisiu ka kujtuar mikun e tij.

“Më ka ardhur jashtëzakonisht keq. Ka qenë studiues i mençur, i ditur dhe njeri që kërkonte nga vetja për të bërë më të mirën. Ka bërë 62 vepra të ndryshme dhe ato nuk janë pak. Gjatë kohës që isha në krye të shtetit e kam marr dy herë në delegacion. Pikërisht për të kontribuar për vendin tonë.

Fatkeqësia jonë është që ne nuk i vlerësojmë njerëzit aq sa e meritojnë kur janë gjallë. Por, te ne njihen më shumë trafikantët, kriminelët. Prandaj është e rëndësishme që jetën ta përdorim për të bërë sa më mirë në interes të vendit e njerëzve tanë të dashur.”

Nëpërmjet një postimi trishtues, edhe drejtuesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari i ka dhënë lamtumirën “Mjeshtrit të Madh”.

Njoftime falas, njoftime pune

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu