Gjykata e Apelit në Tiranë, rikonfirmoi sot vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë për pushimin e çështjes së ngritur ndaj ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, dhe dy ish-zyrtarëve të tjerë pranë tij, për rastin e lobimit në Shtetet e Bashkuara në vitin 2017.
Gjykata e Tiranës e mbylli çështjen në muajin janar për mungesë provash, lidhur me pretendimet e prokurorisë për “falsifikimin e dokumentave” në rastin e mosdeklarimit të 675 mijë dollarëve që kompania amerikane Muzin Capitol Partners kishte pohuar se kishte marrë për aktivitetet në favor të Partisë Demokratike. Fillimisht Prokuroria kishte ngritur dhe akuzën e “pastrimit të parave”, porn ë nëntor të viti të kaluar u tërhoq nga kjo akuzë. Grupi i tre prokurorëve u nda në vlerësimin e çështjes. Ndërsa njëri kërkoi vazhdimin e hetimeve për të gjitha akuzat, dy të tjerët tërhoqën akuzën për pastrim parash dhe u dërguan dosjen në gjykatë vetëm për falsifikim dokumentash.
Vendimi i gjykatës së Apelit u mor nga treshja e gjyqtarëve Shpreca Beçaj, Alaudin Malaj dhe Shkëlqim Mustafa, pas disa orësh konsultimesh dhe pa praninë e palëve.