Policia e Shtetit reagoi në lidhje me kamionin e ndaluar sot në portin e Durrësit ku u raportua se u bllokuan miliona Euro.
Sipas policisë u ndalua mjeti kamion tip “Renault”, me drejtues Andon Thanasi, 56 vjeç, banues në Tiranë, pasi në urën lidhëse të kamionit dhe rimorkios, pas skanimit dhe kontrollit u gjetën të fshehura disa pako të mbështjella, brenda të cilave kishte vlera monetare në euro, të padeklaruara.
Në total ishin 498.850 euro, ndërsa drejtuesi i kamionit u vu në pranga
Pas sekuestrimit të disa miliona eurove në Portin e Durrësit, ka reaguar edhe Policia e Shtetit.
Njoftimi i plotë:
Kontrolle të shtuara, si në dalje, ashtu dhe në hyrje, për të parandaluar dhe goditur paligjshmërinë.
Bashkëpunimi i shkëlqyer i strukturave doganore dhe policore çoi në evidentimin dhe sekuestrimin e një sasie të madhe valute në euro, gjithsej 498.850
Vihet në pranga drejtuesi i kamionit që transportonte shumën e eurove.
Si rezultat i shtimit të kontrolleve, në hyrje të RSH-së, në vijën e dytë, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga strukturat doganore, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, u ndalua mjeti kamion tip “Renault”, me drejtues A. Th., 56 vjeç, banues në Tiranë.
Në urën lidhëse të kamionit dhe rimorkios, pas skanimit dhe kontrollit u gjetën të fshehura disa pako të mbështjella, brenda të cilave kishte vlera monetare në euro, të padeklaruara.
Menjëherë është njoftuar grupi hetimor dhe specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës.
Drejtuesi i kamionit është shoqëruar në DVP Durrës, për veprime të mëtejshme, ndërsa pakot e mbushura me euro u sekuestruan dhe në përfundim të numërimit nga grupi hetimor dhe i filmuar me kamera i gjithë procesi i numërimit rezultoi se në to kishte 498.850 euro.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Th., 56 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, shërbimet e Policisë Kufitare, ato doganore dhe specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.