Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ripostoi në Twitter mesazhin e Presidentit të Partisë Popullore Europiane, Donald Tusk, duke i shprehur mirënjohjen për mbështetjen e dhënë për Shqipërinë dhe luftën e PD për rivendosjen e vlerave europiane më vend.
“Prishja e paligjshme e Teatrit Kombëtar dhe dhuna e shtetit kundër qytetarëve paqësorë, artistëve, mediave dhe opozitës është një tjetër rast i asgjesimit të sundimit të ligjit dhe ngritjes së autokracisë në Shqipëri. Mirënjohje për Presidentin Donald Tusk dhe PPE për mbështetjen e Shqipërisë dhe Partisë Demokratike në luftën tonë për vlerat evropiane, demokracinë, sundimin e ligjit dhe prosperitetin ekonomik”, shkruan Basha.
Më herët gjatë ditës Presidenti i PPE dënoi shembjen e Teatrit dhe dhunën kundër opozitës. Donald Tusk bëri një reagim të ashpër kundër aktit të qeverisë për shembjen e Teatrit Kombëtar.
“Dënoj shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë, të dielën, një akt kundër vlerave europiane, si ruajtja e trashëgimisë kulturore, shteti i së drejtës dhe dialogu transparent. Intimidimi dhe përdorimi i dhunës kundër protestuesve, shoqërisë civile, artistëve, si dhe politikanëve të opozitës është i parapranueshëm. Sundimi i ligjit, pavarësia dhe liria e medias, si dhe lufta kundër korrupsionit duhet të mbizotërojnë për përspektivën europiane të Shqipërisë. Shpreh mbështetjen time për PD në luftën e saj demokratike për një Shqipëri më të mirë. “