Shembja e Teatrit Kombëtar një javë më parë solli dhe trazira në politikë, ku opozita jashtëparlamentare deklaroi se nuk do të jetë pjesë e tryezës për reformën zgjedhore.
Por duket se liderët politik ndryshuan mendim dhe vendosën rikthimin në Këshillin Politik të vendosur për ditën e nesërme (26 maj).
Nuk është hera e parë që shtyhen afatet e kësaj reforme. Për drejtuesen e koalicionit të vëzhguesve vendor, Gerta Meta, kjo është një ping-pong e cila bëhet nga partitë politike që marrin pjesë në reformën zgjedhore.
Për Ora News ajo shprehet se nuk është bërë asnjëherë transparencë për publikun.
Meta: Është një moment që duhet të ketë vëmendjen e duhur. Nuk po arrijmë në finalen e madhe për të patur produktin me palët e dakordësuara dhe në fund t’i serviret qytetarëve. Kemi dëgjuar që gjithmonë ka pasur një përplasje, një ngërç politik dhe mosmarrëveshje ose marrëveshjeve të fshehura në lidhje me spostimin e afateve për të bërë reformën zgjedhore. Reforma zgjedhore ka qenë në vëmendje jo vetëm të aktorëve kombëtarë ku ka pasur presione dhe nga aktorët e Shoqërisë Civile. Kemi vënë re që kjo reformë bën gjithmonë ping-pong me afatet. Ishte 15 marsi e cila u delegua për shkak të pandemisë në 31 maj. Viti 2020 erdhi me shumë entuziazëm, u bënë shumë dëgjesa. Ne shoqëria civile u ftuam aty, patëm biseda me ekspertët e reformës zgjedhore. Ka qenë një rrëmujë shumë e madhe në diskutimin për draftet. Asnjëherë nuk është bërë transparencë për publikun. Nuk kishte dëshirë për të treguar se kush ishte plani i punës. Çfarë ecurie, kush janë ato pikat e dakordësuara mes aktorëve politik të artikulonin qartë dhe saktë për të thënë që po, ne kemi rënë dakord me vullnetin e partisë që përfaqësojmë për të ndryshuar sistemin.
Gjithashtu një tjetër çështje e propozuar nga opozita është depolitizimi i administratës zgjedhore e cila nuk është pranuar nga mazhoranca.
Meta: E gjithë kjo tymnajë që po diskutohet për partitë politike që e kanë shumë të vështirë të vendosin për të hapur listat. Ne ende nuk kemi dëgjuar që të ketë një lloj dëshire që këto lista të hapen që dhe të ndihmohen qytetarët për të dhënë kontributin e tyre. Partitë politike e kanë përdorur për kredo politike. Gjithmonë kanë thënë se reformën do ta finalizojnë dhe për të bërë depolitizimin e strukturave që administrojnë zgjedhjet në Shqipëri. Ne kemi qenë vëzhgues, kemi parë procesin nga afër. Kemi parë komisionerë të cilët janë militantë dhe bllokojnë procesin me urdhër të partive politike. Kemi parë që procesi i numërimit ka pasur devijime. Nuk ka asnjë lloj vështirësie nga ana e politikanëve për tu ulur. Draftet i kanë gati.