Vendimi i Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit për djegien e mandatave, i bëri peshqesh Kuvendit të Shqipërisë një grup deputetësh, të cilët edhe kur flasin në parlament shpalosin nivelin e tyre mizerabël, e më pas kthehet në material skeçesh për emisionin “Portokalli”.
Të tillë deputetë ndodhen në listën e Kuvendit të shpërblyer me dieta dhe rimbursim karburanti në muajt e izolimit me Covid-19.
Gjatë kohës së pandemisë paçka se ka qenë i shtruar në spital e më pas në shtëpi duke mos marrë pjesë në seancat plenare të muajit prill, deputeti Adriatik Alimadhi është paguar 400 mijë lekë rimbursim karburanti. Zoti Alimadhi i pyetur nga Top Channel përse e ka pranuar këtë pagesë të Kuvendit, ndërkohë që ai ka qëndruar në shtëpi i sëmurë dha këtë përgjigje.
“Ky është një ligj që e kanë marrë deputetët më parë, e marrin aktualisht dhe do ta marrin sa të jetë ligji. S’ka të bëjë me momentin tim kam qenë i shtruar në spital apo jo dhe kam marrë lekët e karburantit. Unë e shoh si një ngarkese të shoqërisë shqiptare madje të atyre që duan ta përdorin aktualisht për deputetët që kanë marrë mandatin. Por ky është një imazh i keq i shoqërisë shqiptare. Dhe thuhet që sa lekë i duhen zotit Alimadhi nga shtrati për në banjo. Unë nuk e di ca fryme është kjo. Nuk e di pse i frynë zjarrit”.
Deputetes Majlinda Halilaj i mjaftoi vetëm një fjalim në parlament për t’u bërë e famshme.
Kjo deputete për muajin prill ka marrë 300 mijë lekë rimbursim karburanti. Një tjetër deputet liste Ervis Naco i është akorduar nga Kuvendi shuma prej 400.000 lekë po për rimbursim karburanti.
Lista e publikuar nga Kuvendi për dietat dhe rimbursime karburanti përmban edhe deputetë nga shumica socialiste si Besnik Baraj, Fidel Ylli, Robert Bitri, Arben Kamami dhe shumë kolegë të tyre nga grupi parlamentar. Kontaktuar nga Top Channel, Drejtoria e Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë bëri këtë koment.
Sipas pikës 11, të vendimit të Kuvendit sipërcituar “Vlera mujore e mbulimit të shpenzimeve për transport, është e diferencuar sipas zonave të ndryshme në qarqet ku janë deputetët dhe varion nga 30.016 leke deri ne 40.000 lekë në muaj. Deputetit i mbulohet ky shpenzim pa paraqitur asnjë dokumentacion. Në lidhje me paraqitjen e formularit për deputetin Adriatik Alimadhi ju bëjmë me dije , se deputeti nuk ka plotësuar (vetëdeklaruar/dorëzuar) asnjë dokumentacion të tillë për të përfituar dietat ditore, sipas pikës 7 të vendimit të Kuvendit”.