“Turi” ishte një nga memet që spikati më shumë në protestën e sotme të maturantëve përpara Ministrisë së Arsimit. Në të vërtetë ishte një pyetje me alternativë për vijueshmërinë e saktë të një teksti të dhënë për nxënësit në provim.
Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi dha sonte në A2 zgjidhjen e kësaj pyetjeje që shkaktoi shumë debate mes maturantëve dhe në rrjetet sociale.
Shefja e QSHA qartësoi se në variantet e tezave të provimit, përgjigja ishte e renditur ndryshe dhe në alternativën që lexoi maturantja Kejsi Spahiu, ajo tha se përgjigjja e saktë ndodhet nën alternativën B.
Qindra maturantë protestuan sot para Ministrisë së Arsimit për testin e provimit të Letersisë, i cili sipas tyre nuk kishte asnjë lidhje me materialet parapërgatitore mbi të cilat kanë punuar deri më tani.
Testi me alternativa kishte “zbritur nga qielli” sipas tyre, duke i kërkuar llogari Ministrisë së Arsimit për përmbajtjen e tij. Gjatë protestës së sotme, personazhi i studentëve ka qenë “Turi”.
Por, kush është “Turi”, i cili duket se do të jetë “përgjegjësi” për notat e ulëta të studentëve? Bëhet fjalë për një pyetje në testin e letërsisë, e cila ka personazh “Turin”. Sipas pyetjes, studentët duhet të paramendojnë se si do të veprojë “Turi” në një situatë kur po përmbytet varka ku ai po udhëtonte.