I ftuar në emisionin Arena, redaktori i Ora News Trashgim Sokolaj dha detaje rreth atentatit të ndodhur në Kurbin ku mbetën të vrarë dy persona.
Ai tha se ishte një përplasje mes dy grupeve të strukturuara dhe se në vendin e ngjarjes vepruan 7 persona.
Trashgim Sokolaj: ”Sipas informacioneve që jepen deri tani nga policia dhe prokuroria, bëhet fjalë për dy grupe të strukturuara kriminale të cilat janë përplasur me njëra tjetrën në këtë rast, dhe kanë dhe nëngrupet e tyre me aktivitet jo vetëm në Laç por edhe në qytete të tjera. Natën ku ndodhi vrasja e Bujar Likës dhe plagosja e Paulin Gjegjit i cili më pas humbi jetën në spital, në vendin e ngjarjes kanë vepruar 7 persona.”
Sokolaj tha gjithashtu se këto grupe vëzhgojnë njëri tjetrin dhe gjejnë momentin më të përshtatshëm për të bërë goditjen.
Trashgim Sokolaj: ”Dy prej tyre kanë hyrë në lokalin ku ndodheshin viktimat dhe janë përballur direkt me ta. Tre persona të tjerë kanë vepruar me dy djemtë e Paulin Gjergjit që prisnin në një makinë jashtë lokalit. Thashë dy grupe të strukturuara sepse edhe grupi që ka sulmuar ka pasur një nivel organizimi kriminal të tillë që nuk ka lënë shumë prova nga mbrapa. Por kemi edhe grupin tjetër që një person me armë me vete i cili brenda një lokali ku e konsideronte veten e sigurt, nxjerr pistoletën qëllon dy herë në drejtim të autorëve dhe qëllohet me dy plumba prej ekzekutorëve dhe mbetet i vdekur në vend. Ky person kishte disa muaj që lëvizte me automjet të blinduar dhe disa prej plumbave që janë shkrehur në vendin e ngjarjes janë blindshpues. Kemi grupe që vëzhgojnë njëri tjetrin, dhe që shikojnë sjelljen e njëri tjetrit si dhe gjejnë momentin më të përshtatshëm për të bërë goditjen.”