Bashkëkryetari i komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, i cili është njëherësh përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik, kërkon mbledhjen e tij ditën e premte.
Ai i ka dërguar një email anëtarëve të këshillit, demokratit Oerd Bylykbashi, përfaqësuesit të LSI, Petrit Vasili dhe asaj të opozitës parlamentare Rudina Hajdari, të cilëve ju kërkon që Këshilli Politik të mblidhet ditën e premte në orën 11.00.
Ai kërkon që në këtë formë të nisë puna për të miratuar të gjitha amendimet e arritura në marrëveshjen për reformën zgjedhore.
“Kjo bëhet edhe më e mprehtë nga nevoja për të kaluar të gjitha procedurat parlamentare deri në miratimin e saj në seancë plenare, duke pasuar edhe me zgjedhjen e organeve përkatëse brenda këtij sesioni parlamentar që mbaron në fund te Korrikut 2020. Çdo vonesë në miratimin e ligjit dhe zgjedhjen e organeve të reja të KQZ do të rrezikojë fillimin e implementimit të teknologjisë për identifikimin elektronik në të gjithë vendin”, shkruan Gjiknuri.
Sipas tij, reforma duhet të miratohet në parlament deri në fund të korrikut 2020, dhe më tej mund të vazhdohet me tema të tjera si ndryshimi i sistemit zgjedhor, ligji për referendumet dhe financimi i partive politike.
Gjiknuri shton se temat e tjera që janë vendosur të adresohen të ndara nga Kodi Zgjedhor, mund të trajtohen në një mbledhje tjetër pasi puna e këtij Këshilli do të vazhdojë sikurse është rënë dakord me trajtimin e çështjes së sistemit zgjedhor, ligjit për referendumet dhe ligjit për financimin e partive politike.