Pedagogia Anila Godole është shprehur se ndjehet thellësisht e tronditur nga shembja e Teatrit Kombëtar. Në një intervistë për Ora News, ajo tha se kemi një qeveri që nuk dëgjon askënd, as ndërkombëtarët dhe as qytetarët e vet.
Enila Godole: ”Thellësisht e tronditur. Kjo që gjë që kishim frikë se do ndodhte ndodhi. Ajo që më ka tronditur është mënyra se si u bë, në mes të natës hajdutçe. Duke pasur parasysh se kanë ditur edhe presionin që kishin nga shoqëria civile, nga grupi i interesit të artistëve por jo vetëm. Edhe nga delegacioni europian, u njohëm tani me deklaratën, me zhgjënjimin e tyre. U njohëm që të premten në fakt përmes komisionerit të delegacionit europian që thanë, ju lutem dialog me palët e interesit, përpara se të shkohet në një vendim final të parevokueshëm. Ndërkohë ne përballemi me një qeveri që nuk dëgjon askënd. As ndërkombëtarët as qytetarët e vet. Në mes të natës në kohën kur qytetarët në Shqipëri sidomos në Tiranë gjenden në arrest shtëpiak. Ky është abuzim shumë i madh. Nga njëra anë kërkuan ndihmë për të falur rrogat për të kaluar këtë krizë. Shqipëria është e prekur nga Covidi. Deri më tani nuk kemi parë as kriza dhe as kushte të vështira. Deri më tani kemi parë shembjen e gjimnazit Sami Frashëri dhe të Teatrit Kombëtar. Kjo tregon që të vetmet preokupime të qeverisë janë shembjet dhe fadromat. Janë bërë plane se si ta përdorin këtë pandemi për të prishur ca gjëra që në kohë paqeje do të kishte qenë më e vështirë.”