Sejamini: SHBA do stabilitet. Krasniqi: Duhen reformuar partitë politike

0
Gjigandi

Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi dhe drejtuesi i “Exit al”, Neritan Sejamini duke komentuar intervistën e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, shprehen se, shqiptarët presin shumë nga diplomatët e huaj dhe se kërkojnë zgjidhje për problemet e brendshme prej tyre.

Sejamini duke iu referuar reformës në drejtësi tha se, kur kanë kaluar 6 vjet nga nisja dhe kur politikanët nuk do të duhej të merreshin më me këtë çështje, por drejtësia të bënte punën e saj, sërish kërkojmë nga politikanët që të përfundohet reforma.

“Duhet theksuar se, ne presim shumë nga ambasadorët amerikanë. Ne kërkojmë shumë, për problemet tona kërkojmë zgjidhje prej tyre. Harrojmë në fund të ditës se, ata janë diplomatë dhe sillen në mënyrë diplomatike. Sot e 6 vjet presim që të kemi disa institucione në letër. Kjo është ironia se, kjo u bë që politikanët të mos merreshin me reformën, kështu duhet të ishte por nuk është kështu. Kemi KLGJ, KED, SPAK, etj., dhe nuk duhet të kishte më politikanë dhe një ambasadore duhet të thoshte; drejtësia duhet të bëjë punën e saj. Reforma ka mbetur sipërfaqësore”, u shpreh Sejamini.

Nga ana tjetër, Krasniqi nënvizoi se, ambasadorja Yuri Kim e ndau reformën në tre nivele duke thënë se aktualisht ndodhemi në nivelin e dytë. Nga ana tjetër theksoi se, funksionimi i reformës në drejtësi pengohet nga sistemi partiak.

“Personalisht më erdhi mirë kur e ndau reformën në drejtësi në tre nivele dhe kur tha se jemi në nivelin e dytë. Thelbi i reformës nuk lidhet me individë të veçantë por do të shihet kur të ketë vendime të rëndësishme. Dy sisteme janë të korruptuara në Shqipëri, sistemi gjyqësor që mundohet të ndryshojë pak dhe sistemi politik që nuk po ndryshon aspak. Nuk mund të bësh reformë në drejtësi kur partitë njehsohen me shtetin”, tha Krasniqi.

RonaTyra

Drejtuesi i “Exit.al”, tha më tej se, interesat e SHBA përputhen me interesat e qeverisë si në ruajtjen e stabilitetit ashtu edhe sa i takon përfundimit të reformës në drejtësi.

“Qëllimi kryesor i një ambasadori është t’i shërbejë interesave të vendit të tij. Reformën e duan të gjithë, kryeministri e do shumë. Por problemi është kush e do drejtësinë? Drejtësinë nuk e duan. Qeveria do të bëjë reformë në letër pasi e ka të gjithën të kontrolluar. Tha ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me qeverinë. Interesat e qeverisë dhe ambasadës amerikane janë të lidhur sepse duan që të paktën në letër kjo reformë të ecë. Do të kërkoja një gjë që të vijë dita që ambasadorët amerikanë dhe kushdo qoftë duhet të fillojnë të flasin për parimet dhe jo për reforma. Të flasin për qeverisjen, për parimet, etj.,”, deklaroi z. Sejamini.

Sa i takon deklaratës së vazhdueshme të bërë se ka politikanë që nuk e duan reformën në drejtësi, kreu i Institutit për Studime Politike tha se, duhen rezultate që të mësohet kush nuk e ka dashur në një kohë kur emrat nuk i thotë askush.

“Na është thënë që shumë politikanë nuk e duan reformën në drejtësi, nuk e duam por ne duam të shohim rezultate. Shqipëria nuk ka nevojë për stabiliteti për hir të stabilitetit. Shqipëria nuk ka demokraci funksionale dhe e gjithë kështjella e ndërtuar është kështjellë prej rëre”, u shpreh z. Krasniqi.

Për z. Sejamini interesi i SHBA për stabilitet në Shqipëri lidhet me stabilitetin në rajon dhe ky është interesi kryesor për ta dhe se nga ana tjetër janë të vetëdijshëm se këtu nuk ka demokraci.

“Interesi i SHBA në Tiranë është stabiliteti politik për shkak të stabilitetit rajonal. Para këtij interesi nuk ka interes tjetër për ta. Ky lloj stabiliteti politik të vinte dhe me një demokraci, por kur shikojnë prej 30 vite që kjo është e vështirë. Stabilitet pa demokraci në afatgjatë nuk ka. Të jemi realist ata e dinë se në Shqipëri nuk ka demokraci dhe cilët janë probleme e politikanëve shqiptarë dhe në publik nuk e thënë kurrë sepse u intereson stabiliteti”, përfundoi z. Sejamini.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu