Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar për rikthimin e mundshëm të masave shtrënguese, në kushtet ku prej dy ditësh, numri i të infektuarve me koronavirus ka qenë në numra dyshifrorë (dy ditët e fundit janë konfirmuar 36 vetë).
Rama: Po hapemi dhe po i ekspozohemi natyrshëm rrezikut të infektimit. Siç e keni parë nga informacionet e Ministrisë së Shëndetësisë… numrat po lëvizin. Jemi të vetëdijshëm që numrat lëvizin sepse rritet ekspozimi, por nëse lëvizja e numrave nëse do të vazhdojë të jetë kështu, atëherë do të jetë një problem.
Në këtë fazë, secili prej nesh e secili prej jush, sjella do të jetë vendimtare. Kjo nuk është më një çështje e task forcave, e policisë, e kontrolleve apo e kornizës ligjore, por më së shumti çështje e vetëdijes dhe kontributit qytetar. Është patriotizëm të mbrosh shëndetin tënd dhe të të tjerëve, sepse nëse ti infektohesh, jo vetëm dëmton veten por edhe të tjerët.
Rama theksoi se nga e hëna e ardhshme, ekspozimi ndaj Covid-19 do të jetë shumë i madh.
Rama: Nuk e hapim dot transportin publik. Hiq baret e restorantet në mjedise të mbyllura, palestrat, teatrot, e të tilla ambiente të mbyllura, të gjitha të tjerat janë do të jenë të hapura të hënën. Çka do të thotë se ekspozimi do të jetë shumë i madh.