Presidenti i Republikës Ilir Meta ka kthyer në Kuvend ligjin për shërbimet e pagesave.
Në arsyet për kthimin në këtë ligj presidenti rendit:
Mospërcaktimi i kritereve të qarta të licencimit të institucioneve të pagesave;
Mospërcaktimi i shkeljeve konkrete që çojnë në vendimmarrjen për heqjen e licencës të institucioneve të pagesave;
Mospërcaktimi i funksioneve të qarta dhe shteruese mbikëqyrëse të autoritetit licencues dhe mekanizmave mbi mënyrën e ushtrimit të kësaj mbikëqyrjeje.
Arsyet e plota të kthimi të ligjit nga Presidenti:
Presidenti i Republikës Ilir Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 55/2020 “Për shërbimet e pagesave”. Kreu i Shtetit deklaron se disa nga arsyet e kthimit të ligjit janë mospërcaktimi i kritereve të qarta të licencimit të institucioneve të pagesave; Mospërcaktimi i shkeljeve konkrete që çojnë në vendimmarrjen për heqjen e licencës të institucioneve të pagesave; – Mospërcaktimi i funksioneve të qarta dhe shteruese mbikëqyrëse të autoritetit licencues dhe mekanizmave mbi mënyrën e ushtrimit të kësaj mbikëqyrjeje.
Ligji është propozim i Këshillit të Ministrave dhe ka për qëllim krijimin e kuadrit ligjor për funksionimin e shërbimeve të pagesave në Republikën e Shqipërisë, duke e përafruar pjesërisht me Direktivën 2015/2366 BE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, të datës 25 nëntor 2015, “Për shërbimet e pagesave në tregun e brendshëm”.
Presidenti i Republikës shqyrtoi ligjin nr. 55/2020 “Për shërbimet e pagesave” duke iu referuar përmbajtjes së aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje, praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim, duke bërë një vlerësim dhe analizë të kujdesshme të parashikimeve të aktit, edhe në raport me rekomandimet që duhet të përmbushë Republika e Shqipërisë në kuadër të raporteve të organizmave ndërkombëtare për eleminimin e rreziqeve për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftës së financimit të terrorizmit, përfshirë rekomandimet e Komitetit të Moneyval të Këshillit të Evropës.
Rregullimi i shërbimeve të pagesave me ligj të posaçëm është shumë i mirëpritur, veçanërisht kur ky ligj, duke parashikuar mundësinë e operatorëve të tjerë ekonomikë për të zhvilluar aktivitet në fushën e shërbimit të pagesave përkundrejt licencës përkatëse, rrit konkurrencën në treg. Rritja e konkurrencës patjetër që do të ndikojë si në uljen e kostos së transaksioneve të pagesave, si në rritjen e cilësisë së shërbimit, ashtu dhe në rritjen e aksesit në informacion të qytetarëve mbi mundësitë e kryerjes së pagesave përmes këtij shërbimi. Gjithashtu, ky ligj vlerësohet pasi ofron një mundësi më shumë zgjedhjeje për konsumatorin. Ndërsa parashikimi i krijimit të një zyre të veçantë për shqyrtimin e ankesave të konsumatorit, forcon edhe më shumë mbrojtjen e tij.
Por nga ana tjetër, në raport me vetë procesin e licencimit dhe mbikëqyrjes së shoqërive të licencuara që do të zhvillojnë aktivitetin në fushën e shërbimit të pagesave, ligji paraqet disa problematika të cilat krijohen nga paqartësia e disa dispozitave; mungesa e harmonisë së tyre me legjislacionin ekzistues; apo nga hapësira që disa dispozita krijojnë për keqzbatim në praktikë, të cilat do të shtjellohen në vijim.
Reflektimi mbi këto problematika dhe adresimi i tyre nga Kuvendi i Shqipërisë do të ofrojë një terren më të sigurtë ligjor për operatorët ekonomikë dhe në ruajtjen të pacenuar të interesit publik në tërësi.
Për këtë qëllim, në bindje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1, të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës ka vendosur që ky ligj i duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit, për argumentet e renditura si më poshtë, pasi në disa dispozita, ky ligj paraqet këto mangësi:
– Mospërcaktimi i kritereve të qarta të licencimit të institucioneve të pagesave;
– Mospërcaktimi i shkeljeve konkrete që çojnë në vendimmarrjen për heqjen e licencës të institucioneve të pagesave;
– Mospërcaktimi i funksioneve të qarta dhe shteruese mbikëqyrëse të autoritetit licencues dhe mekanizmave mbi mënyrën e ushtrimit të kësaj mbikëqyrjeje.
Të gjitha këto mangësi të konstatuara cenojnë parimet kushtetuese të sigurisë juridike, lirisë së ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, trajtimit të barabartë përpara ligjit, duke mos garantuar plotësisht jo vetëm sigurinë e administrimit të fondeve që qarkullojnë përmes institucioneve të pagesave, por edhe duke krijuar rrezikun potencial të keqpërdorimit të tyre me qëllime kriminale, si ato të pastrimit të parave apo të financimit të terrorizmit.
Për më tepër, në disa dispozita të tij, ligji nr. 55/2020:
– nuk është në harmoni me legjislacionin penal të Republikës së Shqipërisë, duke krijuar problematikë në punën e organeve ligjzbatuese në ushtrimin e ndjekjes penale për vepra penale që mund të konsumohen nga subjekte, që përdorin shërbimet sipas këtij ligjit apo përmes veprimtarisë ekonomikë të lejuar prej tij;
– si dhe krijon mbivendosje me legjislacionin aktual në fuqi duke lënë hapësira që për të njëjtën shkelje, ofruesi i shërbimeve të penalizohet dy herë, nga dy organe të ndryshme.