Iu nënshtrua për dy orë një operacioni kirurgjikal delikat, por sërish gjendja e 55-vjeçarit Ardian Çapja paraqitet kritike.
55-vjeçari të cilit iu bë atentat pranë shtëpisë së tij në Elbasan paraditen e sotme, ndodhet në spitalin e Traumës në kujdes intensiv.
Plumbi i kaloi pranë zemrës, çka ka bërë që të pësojë hemorragji të madhe, ndërsa e ka përshkuar nga pjesa e pasme e shpatullës tej për tej.
Ai ka humbur shumë gjak, dhe orët në vijim, pritet të jenë përcaktuese për shëndetin e tij. “I forti” i Elbasanit, u dërgua me urgjencë nga spitali i qytetit drejt Traumës në kryeqytet, ku pritet që të shihet se si do të reagojë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 09.43, ku Çapja dyshohet se është qëlluar me snajper.
Zona ku jeton familja Çapja është e rrethuar me kamera sigurie, kjo për shkak edhe të sulmeve të mëparshme ndaj Ardianit.